Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë si një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar.

Megjithëse situata nuk plotëson ende kushtet që të konsiderohet pandemi globale, OBSH paralajmëroi se vendet fqinje janë në rrezik të lartë për përhapjen e virusit, sidomos për shkak të rasteve të raportuara ndërkufitare.

Sipas të dhënave të fundit, në provincën Ituri të Kongos janë raportuar rreth 80 vdekje të dyshuara, tetë raste të konfirmuara në laborator dhe 246 raste të dyshuara.

OBSH theksoi se shpërthimi mund të jetë shumë më i madh sesa tregojnë shifrat aktuale, për shkak të numrit në rritje të rasteve dhe nivelit të lartë të pozitivitetit në mostrat fillestare.

Ky është shpërthimi i 17-të i Ebolës në RDK, vendi ku virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1976. Shpërthimi aktual është i pazakontë sepse shkaktohet nga virusi Bundibugyo, për të cilin nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime të miratuara, ndryshe nga lloji Ebola-Zaire.

Në Ugandë janë konfirmuar dy raste në Kampala, përfshirë një viktimë, ndërsa në Kinshasa është raportuar një rast nga një person që kishte udhëtuar nga Ituri.

OBSH rekomandoi izolimin e menjëhershëm të rasteve të konfirmuara, monitorimin e kontakteve për 21 ditë dhe kufizimin e udhëtimeve për personat e ekspozuar ndaj virusit.

Ebola përhapet kryesisht nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, lëngjet e trupit, sekrecionet ose jashtëqitjet e individëve ose kafshëve të infektuara dhe shkakton simptoma të rënda si ethe, të vjella, dhimbje trupi dhe diarre.

Tv Klan

/tvklan.al