Belgorodi është rajoni i dytë rus që shpall gjendjen e emergjencës, pas Kurskut ku trupat tokësore ukrainase kanë tashmë nën kontroll një sipërfaqe prej 1 mijë kilometrash katrorë.

Guvernatori Vjaçesllav Gladkov tha se aktualisht jeta është e vështirë në këtë rajon, që po përballet me predhat dhe raketat që ukrainasit hedhin nga Kursku dhe që sipas tyre po vrasin civilët vendas. Deri më tani nga këto rajone janë evakuuar mbi 30 mijë banorë, mes 121 mijëve që kanë braktisur banesat. 59 mijë të tjerë janë në lista për t’u larguar nga autoritetet ruse.

Ushtria ruse publikon vazhdimisht deklarata ku thotë se po zmbraps ukrainasit, por shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainase Oleksandër Sirski tha se deri më tani, nën kontrollin e tyre janë 74 zona të banuara në rajonin e Kurskut.

Presidenti amerikan Xho Bajden tha se sulmi ukrainas e ka vënë Vladimir Putin në një dilemë të vërtetë, duke e gjetur atë krejt të papërgatitur. Bajden tha se po informohet vazhdimisht për situatën, por tha se nuk e ka të qartë se cili është synimi përfundimtar i ukrainasve.

Tv Klan