8 gusht 2026, Prishtinë – Kuvendi i Kosovës u mblodh sot për të vijuar seancën konstituive të nisur më 6 gusht. Të pranishëm në sallë ishin 109 deputetë.
Mirëpo, gjatë seancës, kreu i LVV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike mes partive, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja.
“Prandaj, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, ju lus për kohë shtesë”, deklaroi Kurti.
Pas kërkesës së tij pati tensione në sallën e Kuvendit. Deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, iu afrua dhe nisi të hidhte vezë në drejtim të tij.

Deputetët e grupeve të ndryshme parlamentare u ngritën në këmbë dhe nisën përplasjet fizike mes tyre. Në këto kushte, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu mbledhjen.
Kurti: Nuk ankohem që hedhin vezë, ankohem që nuk dialogojnë
Në dalje nga Kuvendi, Kurti tha se nuk e konsideron incidentin si shqetësimin kryesor. Sipas tij, më e rëndësishme është mungesa e dialogut mes liderëve politikë.
“Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, ankohem që ata nuk dialogojnë”, deklaroi Kurti.
Nënvizoi se është i gatshëm ta paguajë këtë “çmim” nëse kjo do t’i shtyjë liderët politikë të ulen dhe të arrijnë një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja. Kurti përsëriti thirrjen për dialog politik dhe marrëveshje mes partive.
Seanca erdhi në një kohë kur partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës. Ndërkohë, partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar dhe organizata joqeveritare kanë argumentuar se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka skaduar në mesnatë.
Një natë më parë, deputetë të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës kërkuan që seanca të zhvillohej para skadimit të afatit, por përpjekjet nuk dhanë rezultat.
Ndërkohë, kreu i LVV-së, Albin Kurti, dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u takuan të premten, por nuk arritën një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

Më pas, Kurti i dërgoi një ofertë kreut të PDK-së, Bedri Hamza, duke propozuar që PDK-ja të mbështeste zgjedhjen e presidentit të ri, në këmbim të postit të kryetarit të Kuvendit.
Megjithatë, deri tani nuk ka një marrëveshje mes partive politike, ndërsa sot pritet të shihet nëse Kuvendi do të arrijë të bëjë përpara me konstituimin e tij.












Botërori 2026 