Sekretari i Përgjithshëm i OKB‑së, Antonio Guterres, dhe disa vende të botës dënuan sulmin në një xhami shiite në Islamabad të premten. Sulmi, me 32 të vdekur, u mor përsipër nga Shteti Islamik. Kombet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin e përgjakshëm të ndërmarrë nga terroristët e Shtetit Islamik (ISIS) në një xhami shiite në periferi të Islamabadit. Përmes një deklarate për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres u shpreh se sulmet ndaj civilëve dhe vendeve të kultit janë absolutisht të papranueshme dhe kërkoi identifikimin e menjëhershëm të autorëve.

“Ky akt brutal kundër besimtarëve të mbledhur për lutje është një krim i urrejtshëm. Përgjegjësit duhet të dalin përpara drejtësisë”.

Sulmi u dënua edhe nga Presidenti rus Vladimir Putin dhe përfaqësitë diplomatikë të vendeve të ndryshme si Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite, Britania e Madhe, etj.

Ngjarja e rëndë shënoi të paktën 32 të vdekur dhe mbi 170 të plagosur, pasi një sulmues vetëvrasës hapi zjarr përpara se të hidhej në erë brenda kompleksit “Khadija Tul Kubra”. Dhuna e ashpër sektare në Pakistan është ringjallur ndjeshëm vitin e fundit, e nxitur nga celulat e ISIS‑it që synojnë destabilizimin e vendit përmes sulmeve ndaj pakicave fetare dhe objekteve qeveritare.

Sulmi ka nxitur valë zemërimi përtej kryeqytetit. Manifestime masive u mbajtën në zonën pakistaneze të Kashmirit, ku komuniteti shiit dënoi masakrën. Manifestuesit mbanin në duar posterat e Ajatollahëve të Iranit, regjimi i të cilëve i përket të njëjtës degë të Islamit, duke kërkuar mbrojtje më të madhe nga shteti pakistanez përballë kërcënimit terrorist që po përgjak rajonin.

Tv Klan

/tvklan.al