Të drejtat e njeriut në rusi po shkelen në një shkallë të lartë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës. OKB thotë se kjo luftë ka kapur kulmin e saj veçanërisht për sa i përket goditjes sistematike të shoqërisë civile.

Raporti detajon brutalitetin e policisë, shtypjen e përhapur të mediave të pavarura dhe përpjekjet e vazhdueshme për të heshtur kritikët e Kremlinit.

Mariana Katzarova, raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në Rusi, iu mohua hyrja në vend dhe e përpiloi raportin duke folur me grupe politike, aktivistë dhe avokatë. Ajo gjeti raporte të besueshme të torturave dhe dhunës seksuale.

Abuzimet e të drejtave të njeriut në Rusi janë dokumentuar mirë gjatë epokës së Vladimir Putin. Por, raporti i fundit i OKB-së i kushton vëmendje të veçantë mënyrës se si pushtimi i Ukrainës në Shkurt të vitit 2022 ka përshpejtuar shkeljen e të drejtave të njeriut.

Ligjet e reja në Rusi kanë çuar pas hekurave në mënyrë arbitrare njerëz të pafajshëm për shkak të shprehjes së mendimit të tyre të lirë .

Ndër rastet që nxjerr në pah raporti është ai i Artyom Kamardin, i cili u burgos për shtatë vjet për leximin e një poezie kundër luftës në publik  një akt që për autoritetet mendohet se është “nxitje e urrejtjes”.

“Janë shtatë vjet për të lexuar një poezi kundër luftës, për të thënë një lutje nga një prift që ishte kundër luftës, ose për të prodhuar një shfaqje të perceptuar si kundër luftës. Dy gra janë ende në burg për këtë në Rusi,” tha raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në Rusi, Mariana Katzarova.

Ndërkaq Raporti akuzon qeverinë se kërkon të përhapë pikëpamjet e saj mbi konfliktin në Ukrainë mes fëmijëve nëpërmjet futjes së mësimeve të detyrueshme në shkollë, të etiketuara zyrtarisht si “biseda të rëndësishme”.

“Fëmijët që refuzojnë të ndjekin klasa të tilla dhe prindërit e tyre janë subjekt i presionit dhe ngacmimit,” shton ajo.

Raporti thekson rastin e një nxënëseje të klasës së pestë nga Moska, e cila u mor në pyetje nga policia pasi kishte lënë mësimin, përpara se nëna e tyre të akuzohej për “mospërmbushje të detyrave prindërore”./tvklan.al