Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, bëri thirrje për një kthesë ekonomike dhe braktisjen e PBB-së si masë kryesore e suksesit. Ai paralajmëroi se ekonomia globale duhet të kalojë përtej PBB-së për të shmangur katastrofën planetare.
“Ne duhet t’i japim vlerë të vërtetë mjedisit dhe të shkojmë përtej Produktit të Brendshëm Bruto si një masë e progresit dhe mirëqenies njerëzore. Le të mos harrojmë se kur shkatërrojmë një pyll, po krijojmë PBB. Kur peshkojmë tepër, po krijojmë PBB”.
Ky ishte paralajmërimi i Guterres, i cili kritikoi se modelet aktuale ekonomike po shpërdorojnë burimet dhe po çojnë në katastrofë mjedisore. Thirrja e tij erdhi pas një takimi të OKB-së me emra të njohur të ekonomisë botërore. Ai theksoi se e ardhmja e njerëzimit kërkon një rishikim urgjent të “sistemeve ekzistuese financiare” në botë.
Për dekada me radhë, qeveritë i kanë dhënë përparësi rritjes së matur nga PBB-ja si qëllimi kryesor ekonomik. Megjithatë, kritikët argumentojnë se rritja e pakufizuar në një planet me burime të kufizuara po nxit krizën klimatike, mjedisore dhe pabarazinë.
“Të shkosh përtej Produktit të Brendshëm Bruto ka të bëjë me matjen e gjërave që kanë vërtet rëndësi për njerëzit dhe komunitetet e tyre. PBB-ja na tregon koston e gjithçkaje dhe vlerën e asgjëje. Bota jonë nuk është një korporatë gjigante. Vendimet financiare duhet të bazohen në më shumë sesa një pamje të përgjithshme të fitimit dhe humbjes”.
Në janar, OKB-ja mbajti një konferencë në Gjenevë me temë “Përtej PBB-së”, ku morën pjesë ekonomistë nga e gjithë bota, përfshirë Joseph Stiglitz, Kaushik Basu dhe Nora Lustig. Grupi i ngritur nga Guterres ka për detyrë hartimin e një paneli të ri matjesh të suksesit ekonomik që merr parasysh mirëqenien njerëzore, qëndrueshmërinë dhe barazinë.
Raporti i publikuar nga ky grup argumentoi se krizat e përsëritura globale, nga kriza financiare e vitit 2008 deri te pandemia COVID-19, tregojnë nevojën urgjente për transformim ekonomik.
“Kombet janë aq të bllokuara në lojën e mposhtjes së kombeve të tjera për sa i përket matjes së PBB-së, saqë mirëqenia e qytetarëve të zakonshëm dhe qëndrueshmëria po injorohen. Kjo po ushqen hipernacionalizmin, pabarazinë dhe polarizimin”.
“Rritja ekonomike mund të bashkëjetojë me varfërinë, përjashtimin, dhunën dhe shkeljet serioze të të drejtave të njeriut. Qëllimi i grupit nuk është të zëvendësojë PBB-në, por ta plotësojë atë, duke ndihmuar qeveritë dhe publikun të vlerësojnë nëse zhvillimi po përmirëson vërtet mirëqenien njerëzore, po përparon barazinë dhe po mbron qëndrueshmërinë”.
“Kërkohet një ndryshim më i thellë i sistemit. Dominimi i PBB-së nuk është një aksident, ai ndodh sepse PBB-ja mat atë që është e vlefshme për kapitalin. Është struktura e kapitalizmit që në fund të fundit duhet të kapërcehet”.
Raporti i Grupit Ndërqeveritar të Punës për Ndryshimet Klimatike paralajmëroi se kufizimi i ngrohjes globale në gjysmë grade Celsius deri në vitin 2052 do të parandalonte dëme të mëdha, duke përmirësuar jetën e miliona njerëzve dhe duke mbrojtur ekosistemet e rrezikuara.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 