Performanca në miqësoren ndaj Jordanisë pritet të ndikojë pozitivisht te Nedim Bajrami.
Mesfushori, i cili ka humbur pozitat te Rangers, besohet të ketë fituar pikë të vlefshme për t’u graduar titullar në ndeshjet e ardhshme. Përballë jordanezëve, Bajrami ishte iniciator te goli i barazimit momental 1-1, ndërsa vulosi fitoren e Shqipërisë me golin e katërt në triumfin 4-2. Notë pozitive që tashmë pritet të reflektohet te gjiganti skocez.
Rangers është në kërkim të një trajneri të ri pas shkarkimit të Russell Martin dhe Bajrami mund të trajnohet nga një emër i njohur, si Ole Gunnar Solskjaer.
Pas stërvitjes së Ernest Muçit te Beshiktash, norvegjezi do të kishte tashmë një tjetër futbollist të kombëtares shqiptare. 52-vjeçari punon si analist ndeshjesh për UEFA-n, por karriera e tij si trajner, sidomos periudha në “Old Trafford”, vazhdon të tërheqë interes.
Përveç ofertës nga Rangers, sipas mediave, norvegjezi ka marrë një tjetër ofertë të rëndësishme, Shoqata Suedeze e Futbollit i ka propozuar të marrë drejtimin e kombëtares së Suedisë.
Në pritje të një vendimi përfundimtar nga Solskjaer, mbetet për t’u parë nëse ai do të zgjedhë një aventurë të re në nivel klubi apo do të nisë një kapitull në arenën ndërkombëtare me një kombëtare.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
