Sipas një investigimi të ProPublica, një pjesë e madhe e shpenzimeve për dasmën e Donald Trump Jr. me modelen Bettina Anderson, të zhvilluar në maj në Bahamas, është paguar nga Umar Kremlev, drejtues i Federatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA) dhe figurë e afërt me Vladimir Putinin.
Dasma, e paraqitur si një ceremoni private me rreth 50 të ftuar, u zhvillua në dy ishuj privatë luksozë. Sipas hetimit, Kremlev ka paguar qindra mijëra dollarë, përfshirë qiranë e ishullit kryesor, e cila mund të arrinte deri në 100 mijë dollarë në natë, si dhe rreth 70 mijë dollarë për fishekzjarret. Ai gjithashtu vuri në dispozicion ekipin e tij për organizimin dhe logjistikën e eventit.
Pjesa më e ndjeshme e historisë është mënyra se si u financua festa. Sipas ProPublica, paratë kaluan përmes një kompanie me bazë në Dubai të lidhur me IBA-n, organizatë që ka marrë financim nga gjiganti shtetëror rus i energjisë, Gazprom.
Në dasmë ndodheshin familjarë dhe bashkëpunëtorë të familjes Trump, ndërsa Kremlev ishte i shoqëruar nga një grup rusësh. Prania e tyre nuk ishte bërë publike dhe nuk shfaqej në materialet fotografike dhe videot e publikuara nga familja Trump. Vetë Kremlev shfaqet vetëm në sfondin e një fotografie grupi të publikuar në Instagram.

Zëdhënësi i Trump Jr. nuk e ka mohuar financimin, por e ka cilësuar Kremlevin si një “mik personal”, duke thënë se të dy janë afruar përmes interesit të përbashkët për gjuetinë dhe boksin. Edhe zyra e Kremlevit ka konfirmuar marrëdhënien miqësore.
Megjithatë, rasti ngre pikëpyetje të mëdha për konfliktin e interesit dhe ndikimin e mundshëm rus në rrethin politik të presidentit amerikan. Kremlev ishte nderuar nga Putini pak para dasmës me Urdhrin e Miqësisë, ndërsa Trump Jr. konsiderohet një figurë me ndikim të rëndësishëm politik brenda rrethit të presidentit dhe ka pasur rol në përzgjedhjen e disa figurave të rëndësishme të administratës.
Çështja kryesore nuk është vetëm vlera e dhuratës, por pse një person me pasuri të konsiderueshme personale do të pranonte që një oligark rus i lidhur me strukturat shtetërore të Moskës t’i paguante një pjesë të madhe të dasmës së tij. Ekspertë të kundërspiunazhit paralajmërojnë se dhurata të tilla mund të krijojnë varësi dhe detyrime të padukshme politike.
Për momentin, vetëm financimi i dasmës nuk provon që Trump Jr. ka marrë ndonjë vendim politik në këmbim të parave. Por, në një klimë ku Uashingtoni është veçanërisht i ndjeshëm ndaj përpjekjeve ruse për të fituar akses te elitat amerikane, një pagesë e tillë nga një figurë e afërt me Kremlinin është politikisht dhe etikisht shumë problematike.












Botërori 2026 
