Rasti i Folarin Balogun ka tronditur botën e futbollit dhe ka hapur një debat të gjerë mbi vendimet disiplinore në Botëror.

Pas anulimit të pezullimit për sulmuesin e Shteteve të Bashkuara, vëmendja është zhvendosur te situata e Michael Olise dhe vendimi i FIFA-s për kartonin e tij të verdhë.

Federata Franceze kishte paraqitur një kërkesë zyrtare për të rishikuar dhe anuluar kartonin e verdhë të marrë nga Olise në sfidën e 1/8-ve kundër Paraguait.

Francezët pretendonin se nuk kishte pasur kontakt mes sulmuesit të Bayern Munchen dhe Matías Galarzës dhe se ndëshkimi nuk kishte bazë në pamjet filmike.

Megjithatë, FIFA ka vendosur të mos e ndryshojë vendimin e arbitrit dhe ka refuzuar kërkesën e Francës.

Trajneri Deschamps bëri të ditur se federata kishte marrë njoftimin zyrtar nga institucioni më i lartë i futbollit dhe se kartoni i verdhë i Olise mbetet në fuqi. Sulmuesi francez do të zbresë kështu në fushë ndaj Marokut nën rrezikun e pezullimit.

Një tjetër karton i verdhë në çerekfinale do ta detyronte të mungonte në një gjysmëfinale të mundshme të Botërorit.

Kjo situatë e vendos Deschamps përballë një zgjedhjeje të rëndësishme, pasi duhet të vendosë nëse do të rrezikojë aktivizimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës apo të menaxhojë me kujdes përdorimin e tij në një ndeshje me shumë peshë.

Në Francë ka shkaktuar diskutime edhe vendosja e arbitrit Facundo Tello dhe e një tresheje tërësisht argjentinase për ndeshjen ndaj Marokut.

Megjithatë, Deschamps ka preferuar të shmangë polemikat, duke theksuar se emërimet e arbitrave nuk varen nga skuadra dhe se fokusi duhet të jetë vetëm te kundërshtari.

Trajneri francez ka nënvizuar gjithashtu se shpreson që arbitrat argjentinas të tregojnë të njëjtin nivel profesionalizmi si arbitri francez Letexier, por ka bërë të qartë se sfida kryesore për ekipin e tij mbetet Maroku dhe jo gjykimi.

Në prag të një ndeshjeje vendimtare, Franca duhet të përqendrohet te objektivi sportiv, ndërsa debati për vendimet disiplinore të FIFA-s vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes.

Klan News

/tvklan.al