Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Rama, iu drejtua SPAK-ut me një kallëzim penal për Gazment Bardhin, pas akuzave që kryetari i grupit parlamentar demokrat bëri ndaj tij si pjesë e grupit të narkotrafikut që kishte ngritur një laborator kokainë në Xibrakë të Elbasanit, në vitin 2014.

“Sot kam depozituar në SPAK kallëzimin për deputetin e paturpshëm Gazmend Bardhi, i cili ka cënuar publikisht nderin dhe dinjitetin tim publik, si individ, prind dhe drejtues i një klubi të mirënjohur futbolli, duke shpikur një lidhje totalisht inekzistente mes meje dhe një grupi trafikantësh të drogës. Fakti që zotëria aspak i nderuar, ka marrë përsipër të më akuzojë si trafikant droge, thjesht dhe vetëm sepse unë jam vëllai i një kundërshtari politik, të cilin prej vitesh tanimë janë cfilitur më kot ta mundin, duke mos lënë asnjë anëtar të familjes sonë pa sulmuar me gjuhën e pistë të shpifjeve, kërkon përgjigje! Jo thjesht nga unë, po nga drejtësia”!

Duke mohuar çdo lidhje me akuzat, në kallëzimin dorëzuar Prokurorisë së Posaçme, Olsi Rama thotë se deklaratat e deputetit Bardhi, të bëra në emisionin Opinion në Tv Klan, përmbajnë elemente të veprës penale të kallëzimit të rremë, të bërë për motive politike.

“Jam i gjithi në dispozicion të hetimit të atyre që deputeti i pacipë i quan prova mbi përkatësinë time në një grup kriminal trafikantësh droge, ndërsa unë nuk mund t’i quaj ndryshe përveçse si shpifje për një fabrikim pervers me qëllim manipulimin e opinionin publik, për motive të dobëta politike”.

Olsi Rama kërkon që SPAK të hedhë dritë mbi të vërtetën dhe në përfundim të dënojë ose atë ose deputetin demokrat.

“Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi. Shoqëria duhet të dijë të vërtetën dhe duhet ta mësojë nga drejtësia. Shqipëria s’mund të ketë një kryeministër që e ka vëllain një trafikant droge që lëviz i lirë nëpër Tiranë. Sikur edhe vetëm një shqiptar i ndershëm të gënjehet nga kjo maskaradë dhe ta besojë këtë çmenduri, të cilën as vetë sharlatani që e ka hedhur në pazarin e llafeve nuk e beson, kjo mjafton që drejtësia të mos heshtë duke e nënvleftësuar peshën e kësaj poshtërsie si as e para dhe as e fundit”.

Vëllai i kryeministrit në njoftimin për kallëzimin, thotë se ajo që ndodh në Shqipëri, me akuza politike të pabaza, nuk ndodh në asnjë vend të Europës dhe për pasojë duhet të marrë fund edhe këtu, përmes drejtësisë.

“Dikush, dikur, diçka, duhet të bëhet sebep që ky turp kombëtar i pashoq me asnjë vend në Europë – ku njerëz me mandate nga populli, me një mikrofon në ekran apo me një portal në internet gënjejnë e sajojnë po aq shumë sa marrin frymë – të goditet nga e vërteta e drejtësisë së re. Nëse është vërtetë e re natyrisht!”

Në deklaratën e tij Olsi Rama thotë se shpreson që SPAK të mos e çojë kallëzimin e tij në koshin e madh të këtij normaliteti absurd, që sipas tij po shkatërron fare bazën elementare të besimit tek fjala, të vërtetat e këtij vendi, vetë shoqërinë dhe po hedh në erë në mënyrë të pariparueshme themelet e edukatës për rininë.

Tv Klan