Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, raportoi përpara deputetëve në Komisionin e Ligjeve mbi gjendjen e kriminalitetit përgjatë 2025.

Kryeprokurori foli me shifra për procedimet, numrin më të lartë të të cilave e kishte prokuroria e Tiranës dhe më të ulët prokuroritë e Kukësit dhe Dibrës.

“Në organin e prokurorisë janë trajtuar 66397 materiale në shqyrtim  që përbën një rritje prej 8,55 % në krahasim me vitin 2024. Janë ndjekur gjithsej 50121 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 5,35 % në krahasim me vitin 2024, nga të cilat: 27077 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 8,50 % në krahasim me vitin 2024; 22860 janë procedime penale të mbartura, me një rritje prej 1,87 % krahasuar me vitin 2024 dhe 184 janë procedime penale të rifilluara”, tha Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.

Shqetësuese thotë se mbetet mungesa e prokurorëve dhe dosjet e mbartura për shkak të vakancave të krijuara nga procesi i vetingut. Ndërsa do të duhen edhe pak vite për plotësimin e vakancave.

“Dhe në një projeksion besoj që në dy tre vitet e ardhshme do kemi organika të plota”, shtoi Çela.

Çela foli edhe për rastet e dyshuara për krim zgjedhor, ku sipas tij, në gjykata janë dërguar 14 raste me 30 të pandehur.

Ndërsa sa i përket prioriteteve të 2026, nënvizoi forcimin e hetimeve për krimet kundër personit dhe pronës, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe rritjen e transparencës dhe eficiencës së sistemit të drejtësisë penale.

Klan News

/tvklan.al