Pas skandalit në Onkologjik, kryeministri Rama u tregua i ashpër me mjekët. Ai thirri në një takim drejtuesit e shërbimeve në spitale ku theksoi se nxjerrja e parave me gjakun dhe ilaçet, është krim kundër njerëzimit.

“Të kesh marrë diplomën dhe licencën dhe ta përdorësh uniformën si maskat e grabitqarëve të bankave për të nxjerrë para me gjakun dhe ilaçet është krim jo kundër tyre, por kundër të gjithë njerëzimit. S’mund të thuhet që sistemin shëndetësor është çliruar nga kthetrat e korrupsionit, rrjeta e merimangave në QSUT ishte edhe më keq, krim kundër të gjithë njerëzimit, krim kundër njerëzores.”

Ai kërkoi që drejtësia të veprojë në këto raste skandalesh, duke i bërë një thirrje të veçantë gjykatësve.

“U bëj thirrje gjykatësve që të mos lejojnë që relativizmi dhe banalizimi i kësaj histori banale, siç ka ndodhur kur gjykatës të korruptuar e kanë ngrënë turpin me ryshfet dhe kanë nxjerrë vrasës. Ne duhet dhe do vazhdojmë punën tonë, jo vetëm me masat.”

Kreu i qeverisë u kujtoi mjekëve përmirësimin e rrogave dhe të kushtetve të punës, të cilat janë bërë nga paratë e pacientëve.

“Pacientët dhe njerëzit e tyre bashkë me shqiptarët që paguajnë taksat kanë bërë që pagat tuaja të jenë shumë më mirë se dje dhe nesër të jenë më mirë se sot. Kush e harron këtë dhe ka bluzën e bardhë hyn në gjynah të madh edhe kur s’ka durimin të sillet si shërbëtor i atyre që zënë krevatin e kësaj qendre nga halli. Mjaftojnë 5 maskarenj të fshehur në radhët tuaja që gjithçka të mbulohet nga hija e dyshimit.”

Kryeministri foli për autonomi spitalore ndërsa paralajmëroi që mjekët do të paguhen sipas performancës në punë. Rama deklaroi se do ngrihen grupe pune me menaxherë të huaj për të asistuar drejtoreshën e QSUT dhe shefat e shërbimeve.

“Grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afërt drejtuesit e spitaleve të kësaj qendre që të garantojmë hapjen e kapitullit të shumë pritur të autonomisë spitalore, që kjo qendër do duhet ta ketë dhe që kësaj qendre do duhet t’i japë fleksibilitetin për ti shpërblyer profesionistët sipas meritës.”

Gjatë takimit, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, bëri publike disa ndryshime në urdhrin e Mjekut. Hapja apo puna në një klinikë private do të jetë e ndaluar kur të përfundojë procesi i autonomisë. Gjithashtu propozohet që do të ndalohet ligjërisht që një mjek t’u shërbejë të njëjtëve pacientë edhe në klinikën private.

Klan News