Agjencia për zbatim të ligjit e Bashkimit Evropian ka shënjestruar propagandën online të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në një operacion të koordinuar kundër përmbajtjes terroriste online.

Agjencia evropiane policore, EUROPOL, njoftoi se në këtë operacion janë shënjestruar 14.200 postime të lidhura me Gardën Revolucionare.

Aksioni u përqendrua në identifikimin dhe pengimin e pranisë online të grupit, që “përdorej për të përhapur propagandë, për të rekrutuar mbështetës dhe për të mbledhur fonde”, u tha në njoftim.

EUROPOL tha se 19 shtete bashkuan forcat për të identifikuar dhe ndërprerë përmbajtjen e lidhur me Gardën iraniane në internet, mes tyre edhe Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia dhe Italia.

Nga 13 shkurti deri më 28 prill, autoritetet nga këto shtete punuan së bashku, nën koordinimin e EUROPOL-it, duke mbledhur të dhëna, duke verifikuar caqet dhe duke verifikuar platforma online.

Përmbajtja propaganduese, sipas EURPOL-it, u identifikua në disa gjuhë, përfshirë arabisht, anglisht, frëngjisht, persisht e spanjisht.

Përmbajtja ishte në formate të ndryshme, sikurse fjalime që kishin narrativë fetarë të martizimit të ndërthurura me mesazhe politike e deri te video të gjeneruara me inteligjencë artificiale që lavdëronin Gardën Revolucionare Islamike dhe bënin thirrje për hakmarrje për vrasjen e liderit suprem iranian, Ali Khamenei.

Pasi u identifikuan mbi 14.000 postime të lidhura me Gardën – e cila në X ka 150.000 ndjekës – llogaria e Gardës në këtë platformë u bllokua nga BE-ja, ndërkaq linqe të tjera, të lidhura me disa platforma ose janë hequr ose po hetohen, tha EUROPOL.

Autoritetet identifikuan transaksione që janë kryer duke përdorur kriptovaluta me qëllim amplifikimin e operacione online, një taktikë, që sipas EUROPOL-it, është e dizajnuar për të shmangur kontrollet tradicionale financuese.

Klan News

/tvklan.al