Pesëdhjetë (50) fëmijë janë shpëtuar dhe 9 persona janë arrestuar pas një hetimi të Interpol që goditi një rrjet ndërkombëtar të pedofilëve. Arrestimet u kryen në Tajlandë, Australi dhe SHBA. Interpol theksoi se priten të tjera arrestime. Hetimi filloi në vitin 2017 dhe shkas u bë një faqe e fshehtë në internet me 63 mijë përdorues në të gjithë botën. Autoritetet zbuluan imazhe të disa djemve të abuzuar të moshave 11-13 vjeç. Sipas policisë, dyshohet se rreth 100 fëmijë janë abuzuar.

Departamenti amerikan i Hetimeve të Sigurisë Kombëtare gjurmoi adresën IP të internetit për të zbuluar vendin nga po publikoheshin online fotot dhe videot e abuzimit. Pedofilët në disa raste kanë mbuluar fytyrat e fëmijëve në videot që kanë publikuar në internet, çka e bën më të vështirë për policinë që të identifikojë të miturit.

Vitin e kaluar u arrestua administratori kryesor i kësaj faqeje, Montri Salangam, i cili u kap në Tajlandë, dhe një administrator tjetër në Australi i quajtur Ruecha Tokputza. Identitetet e të arrestuarve të tjerë gjatë operacionit ‘Blackwrist’ nuk janë bërë publike, por disa prej tyre ndodhen në SHBA dhe mbajnë poste publike. /tvklan.al