Beteja për Qytetin e Gazës ka hyrë në një fazë të re dhe dramatike.

Operacioni i filluar të hënën, 15 shtator, pak pas mesnatës, ngjan me një rrethim mesjetar, ku forcat elitare izraelite kanë depërtuar në periferi, duke përgatitur sulmin vendimtar kundër Hamasit. Për herë të parë në histori, një konflikt i kësaj shkalle zhvillohet “shtëpi më shtëpi” në një qendër urbane ku jetojnë rreth 600 mijë njerëz, një skenar që nuk u pa as në Stalingradin e vitit 1942 apo në Groznin e shkatërruar nga ushtria ruse në vitet ’90. Analistët paralajmërojnë për një përplasje tepër të përgjakshme, raporton La Repubblica.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjenerali Effie Defrin, akuzoi Hamasin se ka ngritur “mburojën më të madhe njerëzore në histori”, duke penguar civilët të largohen nga zona e luftimeve. Rreth 350 mijë banorë kanë braktisur qytetin gjatë ditëve të fundit, ndërsa autoritetet ushtarake vlerësojnë se një numër i ngjashëm mund të evakuohet brenda javës së ardhshme.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se objektivi i operacionit është asgjësimi i brigadës së fundit të Hamasit në Qytetin e Gazës, për të goditur zemrën e aftësisë së këtij grupi për të qeverisur territorin dhe për të arritur lirimin e pengjeve. Vlerësohet se në qytet janë rreth 2 mijë e 500 luftëtarë të Hamasit, por rezistenca mund të përfshijë një numër më të madh, të mbështetur nga rrjeti i tuneleve dhe bunkerëve, telekamerat e fshehura dhe truket shpërthyese. Ata komunikojnë vetëm me kabllo, duke shmangur radiot dhe telefonat e interceptueshëm.

Strategjia izraelite: Zjarr dhe përparim i kujdesshëm

Izraeli ka kryer mbi 850 bombardime ajrore gjatë javës së fundit për të shkatërruar postet e vëzhgimit dhe pozicionet e mundshme të militantëve. Dronët dhe avionët luftarakë vazhdojnë të patrullojnë, gati të neutralizojnë çdo pengesë përpara mjeteve të blinduara. Plani i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) parashikon një përparim të ngadaltë, me prioritet absolut sigurinë e trupave, ku çdo lëvizje e dyshimtë do të neutralizohet me zjarr të fuqishëm.

Për të çminuar zonat e rrezikshme janë përdorur edhe mjete të telekomanduara M-113, të mbushura me eksploziv dhe shpërthyer në rrugë ku dyshohej prania e kurtheve.

Njësitë elitare në vijën e parë

Operacioni mbështetet mbi tre divizione kryesore:
• Divizioni 98 (“Zjarr”) – formuar nga parashutistë dhe trupa speciale me përvojë të gjatë në luftimet urbane
• Divizioni 162 (“Çelik”) – i pajisur me tanke dhe mjete të rënda të blinduara, me eksperiencë në Gaza
• Divizioni 36 (“Zemërim”) – një njësi tjetër e blinduar që do të mbështesë sulmin

Sipas manualeve ushtarake, rreth 50 mijë trupa konsiderohen të pamjaftueshme për të pushtuar një qytet të mbrojtur mirë, por IDF synon ta kompensojë këtë hendek me fuqinë shkatërruese të artilerisë dhe aviacionit.

Një ofensivë pa vijë të qartë fronti

Operacioni po zhvillohet “me njolla”, pa një vijë të përhershme fronti. Nga njëra anë, Izraeli synon të detyrojë militantët të ekspozohen, për t’i rrethuar dhe eliminuar. Nga ana tjetër, njësitë speciale kërkojnë të identifikojnë dhe të shpëtojnë pengjet, një mision i vështirë, në mos i pamundur.

“Ne kemi paraqitur në mënyrë të qartë dhe profesionale të gjitha rreziqet dhe mundësitë në nivel politik”, tha gjenerali Eyal Zamir, komandant i përgjithshëm i IDF, duke theksuar se operacioni po udhëhiqet “me përgjegjësi dhe kujdes” për arritjen e objektivave.

/tvklan.al