Teksa kanë nisur përgatitjet për hapjen e sezonit të ri turistik në vendin tonë, qeveria ka vendosur që të rrisë standardet, kërkesat dhe mënyrën e funksionimit të operatorëve turistike.
Kjo evidentohet nga drafti i hedhur së fundmi për konsultim publik nëpërmjet të cilit synohet të rritet cilësia e shërbimeve nga këta operatorë dhe subjekte që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin e turizmit, nëpërmjet punësimit si drejtues teknik të një personi i cili ka eksperiencë pune të mëparshme në fushën e turizmit.
Në projektvendim përcaktohet që drejtuesi teknik për nevoja të ushtrimit të veprimtarisë së tij, duhet të vërtetojë se zotëron të paktën dy gjuhë të huaja, kjo nëpërmjet një dëshmie specifike apo certifikate konkrete.
Operatorët turistikë, duke pasur si drejtues të aktivitetit të tyre një person të mirëarsimuar, do të mundësojnë ofrimin e një shërbimi më cilësor e me standardet e kërkuara për klientin apo vizitorin në një kohë që veprimtaria zhvillohet në bashkëpunim me furnizuesit e shërbimeve brenda dhe jashtë vendit.
Institucionet dhe organet që ngarkohen për zbatimin e aktit të publikuar së fundmi janë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe strukturat përgjegjëse për inspektim në fushën e turizmit që njëkohësisht duhet të bëjnë edhe zbatimin e këtij vendimi.
Klan News