Pavarësisht se në tubimin e 25 Majit organizuar nga opozita nuk u regjistruan raste dhune, në protestën e kësaj të diele niveli i masave të sigurisë marrë nga autoritetet është mjaft i lartë.

Policia e Shtetit ka kalua në gatishmëri për protestën e radhës kombëtare të opozitës, duke angazhuar më shumë se 1500 forca. Kryeministria, Parlamenti, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe ajo e Tiranës do të jenë nën mbrojtjen e bluve deri në përfundim të protestës.

Tubimi pritet të fillojë në orën 19 dhe mësohet se policia ka dhënë leje për dy orë. Burime nga opozita thanë se protestuesit do të grumbullohen fillimisht përpara Kryeministrisë për të vijuar me një marshim drejt parlamentit. Opozita ka kërkuar leje deri në mesnatë. Kërkesat e saj mbeten të njëjta, ajo e krijimit të një qeverie tranzitore pa Ramën kryeministër dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Kryeministria dhe institucionet e tjera ku pritet të kalojnë mbështetësit e opozitës janë rrethuar me barriera metalike.

Qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të bllokohet në orën 17:30 ndërsa rruga pas Kryeministrisë është bllokuar që në mesditë dhe të gjitha mjetet janë hequr nga aty për shmangur çdo incident të mundshëm. Policia në institucione ka instaluar kamera sigurie me rezolucion të lartë për të bërë të mundur identifikimin e atyre që shkelin ligjin. Oficerë të tjerë të policisë do të jene të vendosur në tarracën e kryeministrisë dhe kryesisë së kuvendit edhe ata të pajisur me kamera.

Tv Klan