Bylykbashi: T’i drejtohemi OSBE/ODIHR-it për opinion

Opozita nuk do të dorëzojë në Këshillin Politik asnjë draft të sajin, për të reflektuar në Kodin Elektoral ndryshimet kushtetuese për heqjen e koalicioneve paraelektorale dhe hapjen e listave të kandidatëve.

I mandatuari i saj në tryezë, Oerd Bylykbashi sqaron se koalicionet duhet të mbeten sikundër ekzistojnë prej 17 vitesh dhe se palët në respekt të marrëveshjes së 14 Janarit për çështjet që nuk bien dakord, zgjidhjen duhet ta gjejnë pranë OSBE-ODIHR-it.

“Ti drejtohemi OSBE-ODIHR-it në përputhje me marrëveshjen e 14 Janarit  që ka mekanizmin e zgjidhjes së konfliktit. ODIHR dje u shpreh i gatshëm që të ndërhyjë për asistencë, PD dhe opozita kërkon të ruhet ligji i sotëm i miratuar me konsensus që në 2003, çka është konfirmuar dhe s’ka patur rekomandim më parë nga ODIHR e Venecia për këto koalicione”.

Ndonëse 30 Shtatori është lënë nga mazhoranca si afat për përmbylljen e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Elektoral, Bylykbashi thotë se opozita nuk do ta japë dakordësinë e saj.

“Afatet e mazhorancës janë pjesë e taktikës së saj të faktit të kryer. S’do lejojmë që Këshilli Politik të jetë vula në tentativën e Ramës për të prishur rregullat e lojës. Rama s’do marrë dakordësi nga opozita për këtë përsa kohë cënohet interesi i shqiptarëve”.

Pas kësaj lëvizje të shumicës, përfaqësuesi i opozitës në këshill sheh tentativën sipas tij të Kryeministrit Rama për të ndryshuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve.

“PS t’u shpjegojë ndërkombëtarëve dhe OSBE pse kërkon të ndryshojë një rregull themelor para zgjedhjeve. Ju a them unë, se kërkon të ndryshojë përllogaritjen e mandateve dhe rezultatin. Por Komisioni i Venecias e thotë qartë se ndryshime të tilla nuk bëhen një vit para zgjedhjeve”.

Të hënën përfaqësuesi i socialistëve në tryezë kërkoi nga opozita që të sjellë propozimet e saj për pragun kombëtar zgjedhor, afatet e paraqitjes së listës unike nga aleancat dhe si do të kryhet aspekti procedurial i votimit për kandidatët në kushtet e listave të hapura duke ruajtur kuotat gjinore.

Por paraditen e së premtes palët do të ulen sërish në tryezën e Këshillit Politik të ndarë në qëndrimet e tyre.

Tv Klan