Demokratët u rikthyen në parlament pas dy javësh mungese me të njëjtat kërkesa në adresë të mazhorancës.

“Ka një muaj që janë dorëzuar amendamentet për amendimin e ligjeve të cilat BE, KE, Parlamenti Evropian kërkon të anulohen dhe të amendohen, të cilat protesta më e fuqishme pas viteve ’90 rinore qytetare kërkon të anulohen. Dhe ti, në radhë të parë me përgjegjësi absolute tënden, i injoron sikur nuk ekzistojnë”, tha Sali Berisha.

“S’mund të ketë dy standarde: e duam integrimin për ligjin e të drejtës së autorit, por jo për investimet strategjike apo zonat e mbrojtura. Ose ka një proces integrimi me vullnet të plotë, ose këto gënjeshtra për qytetarët nuk mund të ketë”, u shpreh Jorida Tabaku.

Tensionet verbale u rritën më tej mes palëve, teksa shumica pranoi të heqë nga rendi i ditës projektligjin për “Shoqëritë Europiane” pas kërkesës së socialistëve për ta kaluar në seancën plenare të 23 korrikut.

“Do mbetesh në historinë e këtij vendi si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i egër i Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve. Si armik i egër i procesit të integrimit të Shqipërisë”, u shpreh Berisha.  

“Mos tejkaloni etikën parlamentare! Mos përdorni epitete! Do t’ju ndërpres sa herë të shkelni rregulloren! Do të marr masa sipas rregullores për të gjithë deputetët që na sjellin këtu një lumë fjalësh që nuk na takon ne”, tha Peleshi.

Debatet për rendin e ditës u pasuan nga ato për reformën territoriale. Demokratët akuzuan mazhorancën për tërheqje nga procesi, ndërsa socialistët ia lanë derën hapur demokratëve deri në shtator.

“Papritmas, Edi Rama tërhiqet de facto nga reforma territoriale dhe mbyll procesin duke vazhduar projektin e tij të shpopullimit të plotë të mëtejshëm të Shqipërisë”, tha kryedemokrati.

“Në datë 23 nuk do të ketë votim, por raportim, që mbi bazën e tij ka një proces që i përfshin komunitetet. Procesi përfshin Komisionin e Çështjeve Ligjore, pasi të ketë kaluar 60-ditëshi, në shtator do të diskutojmë prapë. Qetësoni shpirtrat, ikni, vazhdoni pushimet”, u kundërpërgjigj kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Pavarësisht deklaratës së kreut të grupit kuvendor socialist, Sali Berisha është i bindur se në hartën e re territoriale mazhoranca redukton ndjeshëm numrin e bashkive nga 61 që ka aktualisht.

“Projekti i diskutuar nga ju shkurton edhe të paktën 20 bashki të tjera, të shpërndara në të gjithë vendin. E them edhe njëherë: nga Kruja, Fushë-Arrëzi, Mirdita gjer në Konispol, Delvinë, Finiq, etj”, shtoi Berisha.  

“Gënjeshtra u tha këtu. Bashkia Has nuk preket, Mirdita e madhe u prekërka, e paska ngrënë dhe Goni thashethemin”, tha Balla.

Por demokratët këmbëngulin se nuk do të votojnë asnjë hartë të re territoriale pa marrë më parë ekspertizën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Këshillit të Europës.

Tv Klan

/tvklan.al