Pas humbjes dramatike në zgjedhjet e 12 prillit, kryeministri në largim Viktor Orbán ka sinjalizuar heqjen e vetos ndaj paketës 90 miliardë euro për Ukrainën. Në një letër drejtuar Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, Orbán kushtëzoi pëlqimin e tij me rinisjen e furnizimit me naftë ruse përmes tubacionit “Druzhba”.

Ky ngërç, që zgjat prej dhjetorit të kaluar, pritet të zgjidhet në mbledhjen e ambasadorëve të BE-së këtë të mërkurë. Fituesi i zgjedhjeve, Péter Magyar, i bëri thirrje Kievit të rihapë tubacionin e dëmtuar dhe Rusisë të vijojë dërgesat sipas kontratave. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski premtoi që tubacioni do të rihapet në fund të prillit. Kremlini deklaroi se është teknikisht gati për rinisjen e rrjedhës, sapo Ukraina të ndalojë atë që Moska e quajti “shantazh”.

Komisioni Evropian pret një vendim pozitiv të menjëhershëm që në mbledhjen e ministrave të jashtëm të mërkurën, çka do të lejonte disbursimin e fondeve të para brenda dy javësh. Ndryshimi i pushtetit në Budapest shihet në Bruksel si fundi i bllokadës shumëmujore që rrezikonte falimentimin e arkave publike të Kievit. Përfundimi i marrëveshjes pritet të zyrtarizohet në fillim të majit, duke siguruar vazhdimësinë e mbrojtjes ukrainase.

Tv Klan

/tvklan.al