Pas vizitës në Kiev dhe Rusi që zemëroi disa udhëheqës të Bashkimit Evropian, kryeminstri hungarez mbërriti në Kinë për një marrëveshje të mundshme të paqes në Ukrainë.

“Kina është një fuqi kyçe në krijimin e kushteve për paqen në luftën Rusi-Ukrainë. Është shumë e rëndësishme për hungarezët që Kina të nxisë paqen në botë. Kjo është arsyeja pse erdha të takohem me Presidentin Xi në Pekin, vetëm dy muaj pas vizitës së tij zyrtare”, shkroi Orbán në platformën e mediave sociale X.

Gjatë takimit të tij, Orbán e përshkroi Kinën si një forcë stabilizuese mes tensioneve globale dhe vlerësoi iniciativat e saj konstruktive dhe të rëndësishme të paqes. Presidenti kinez, Xi Jinping u bëri thirrje fuqive botërore që të ndihmojnë Rusinë dhe Ukrainën të rifillojnë dialogun e drejtpërdrejtë.

Orbán priti liderin kinez në Hungari vetëm dy muaj më parë si pjesë e një turneu evropian në tre vende që përfshinte edhe ndalesa në Francë dhe Serbi, e cila ndryshe nga dy të tjerët, nuk është anëtare e BE-së apo NATO-s.

Hungaria është shndërruar në një partnere të rëndësishme tregtare të Kinës për dallim nga disa shtete të tjera të BE-së që dëshiron të jenë më pak të varura nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.

Kryeministri hungarez kundërshton gjerësisht ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe ka bllokuar përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Kievin dhe për të vendosur sanksione ndaj Moskës.

Orbán më pas do të shkojë në Uashington, DC, ku udhëheqësit e NATO-s po mbajnë një samit për të diskutuar mënyrat për të siguruar mbështetje për Ukrainën.

Klan News