Ish-kryeministri hungarez, Viktor Orban, mund të jetë një nga kandidatët e mundshëm për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Sipas një raportimi të gazetës amerikane The Wall Street Journal, zyrtarë të administratës së presidentit Donald Trump po mbështesin kandidaturën e Orbanit për të marrë drejtimin e organizatës më të madhe ndërkombëtare.

Gazeta raporton se ish-kryeministri hungarez mund të jetë një kandidat i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës.

Burime nga të tria vendet, sipas Wall Street Journal, kanë konfirmuar mbështetjen e administratës Trump për këtë nismë.

Një zhvillim i tillë do të përbënte një lëvizje të rëndësishme në diplomacinë ndërkombëtare, duke pasur parasysh marrëdhëniet e Orbanit me Uashingtonin, Moskën dhe Pekinin.

Megjithatë, Orban vjen nga një humbje e rëndësishme politike në vendin e tij.

Në zgjedhjet parlamentare të prillit, partia Tisza e drejtuar nga Peter Magyar mposhti Orbanin, duke i dhënë fund 16 viteve të tij në pushtet.

Klan News

/tvklan.al