Izraeli ka rritur nivelin e gatishmërisë ushtarake mes shqetësimeve për një sulm të mundshëm nga Irani.

Sipas burimeve izraelite, javën e kaluar pritej një ofensivë amerikane, por ajo u shty pasi administrata e presidentit Donald Trump ndryshoi qëndrim.

Burime nga Jeruzalemi thanë fillimisht se Izraeli nuk kishte marrë asnjë kërkesë për t’iu bashkuar operacioneve ushtarake, por më vonë zyrtarë të tjerë paralajmëruan se vendi po kalon “orë dramatike”.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës izraelite, Garda Revolucionare Iraniane (Pasdaranët) është e gatshme të godasë Izraelin edhe nëse ai nuk merr pjesë drejtpërdrejt në operacionet ushtarake.

Mediat izraelite i kanë kushtuar vëmendje edhe një raporti të Washington Post, sipas të cilit gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, komandant i forcave amerikane në Europë, ka paralajmëruar Pentagonin se SHBA-të nuk kanë mjaftueshëm anije në Mesdhe për të mbrojtur Izraelin nga një sulm i mundshëm me raketa balistike iraniane.

Në rast të një sulmi të madh, prioritet do të ishte mbrojtja e forcave dhe qytetarëve amerikanë.

Sipas raportit, presidenti Donald Trump kishte vendosur të shtynte operacionin e planifikuar ushtarak për shkak të mungesës së raketave mbrojtëse Patriot, të cilat përdoren për mbrojtjen e aleatëve të SHBA-ve në Lindjen e Mesme.

Gjatë javëve të fundit, përplasjet kanë prekur kryesisht vendet e Gjirit, ndërsa Irani nuk ka ndërmarrë sulme ndaj Izraelit.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi një takim me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, të cilin e cilësoi si “takimin më të mirë ndonjëherë”.

Sipas analistëve, në takim, ku morën pjesë edhe shumë zyrtarë amerikanë, janë diskutuar çështje ushtarake dhe të sigurisë.

Raporti i Washington Post thekson gjithashtu se gjatë përballjeve ushtarake të muajve shkurt-prill, SHBA-të përdorën qindra raketa interceptuese për të mbrojtur Izraelin nga sulmet iraniane, përfshirë sistemin THAAD, ndërsa Izraeli mbështetet kryesisht në sistemin e mbrojtjes ajrore Kupola e Hekurt (Iron Dome).


/tvklan.al