Një organizatë pro-iraniane ka lkërcënuar familjen e Presidentit Donald Trump, kryesisht ndaj vajzës së tij, Ivanka Trump, si dhe duke i bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të kryejnë atentat ndaj tij.

Organizata Harakat Ashab al-Yamin al-Islamia (HAYI), e cilësuar si një strukturë që lidhet me interesa iraniane, ka marrë përgjegjësinë për një seri sulmesh në qytete evropiane, duke shënjestruar komunitete hebraike, objektiva të lidhura me Izraelin dhe disidentë iranianë.

Në një deklaratë të publikuar të hënën përmes kanaleve që dyshohet se kanë lidhje me regjimin iranian, organizata kërcënonte me vdekje Ivanka Trump dhe u bënte thirrje amerikanëve që të vrisnin presidentin e SHBA-v. Deklarata përmbante gjithashtu gjuhë fyese dhe provokuese, duke pretenduar se vajza e presidentit kishte qenë “në prag të vdekjes” disa ditë më parë.

Ndërkohë, HAYI ka marrë përgjegjësinë për disa sulme të fundit në Evropë. Mes tyre përfshihet djegia e katër ambulancave vullnetare të një komuniteti hebraik në London më 23 mars, si dhe një tentativë sulmi ndaj sinagogës Finchley Reform, ku autorët vendosën materiale të ndezshme dhe hodhën objekte drejt godinës.

Po atë ditë u raportua edhe një përpjekje për zjarrvënie në zyrat e Iran International, kur persona të panjohur hodhën një objekt të ndezur në parking, pa shkaktuar dëme të mëdha.

Sulme të tjera përfshijnë vendosjen e mjeteve zjarrvënëse në një ndërtesë që më parë kishte shërbyer si seli e një organizate hebraike, si dhe gjetjen e enëve me substancë të panjohur pranë ambasadës së Izraelit, e cila më vonë rezultoi jo e rrezikshme.

Po ashtu, të dielën u regjistrua një tjetër incident në sinagogën Kenton United, ku një mjet zjarrvënës shkaktoi dëme të vogla materiale në brendësi të objektit, pa pasoja në njerëz.