Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të formuar qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.

Presidenca e Kosovës njoftoi në Facebook se Osmani e nënshkroi dekretin këtë të shtunë, 11 tetor, për mandatimin e Kurtit, i cili është kryeministër në detyrë, për të formuar qeverinë e re.

“Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti. Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim. Presidentja i ka uruar suksese Kurtit, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues”, thuhet në njoftim.

Vendimi vjen pasi një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës u konstitua përfundimisht me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit nga pakica serbe.

/tvklan.al