Disa nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, janë mbledhur në zyrën e tyre në Prishtinë për të ndjekur nisjen e fazës përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e ka quajtur skandaloze fjalën e kryeprokurores Kimberly West dhe kërkesën e saj për dënim prej 180 vjetësh për ish-krerët e UÇK-së.
“Kjo, me këtë fjalë ka kënaqur të gjithë ata që kanë qenë kundra Kosovës, kundra çlirimit të vendit dhe ka kënaqur vetë politikanët serbë dhe shtetin e Serbisë. Serbia është sot e kënaqur me prokurorët që kanë punuar kundër shtetit të Kosovës dhe kundër UÇK-së”, shprehet Gucati.
Sipas Gucatit, ajo ishte e pasinqertë kur tha se gjenerali Wesley Clark dhe diplomatët nuk kishin njohuri për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Unë shpresoj që në fund të muajit, kolegët tanë të lirohen, Presidenti dhe të tjerët. Unë nuk besoj që gjyqtarët do të bien nën ndikimin e prokurorëve”, pohon ai.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza beson në pafajësinë e ish krerëve të UÇK-së.
Tashmë pritet që drejtësia ndërkombëtare, në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar, të marrë vendimin e saj përfundimtar. Ne besojmë në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, sepse besojmë në të vërtetën historike dhe në luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Ky proces nuk përfaqëson vetëm një akt juridik, por është edhe një provë e ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës.
Përkrahje ish krerëve të UÇK-së u ka dhënë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke shkruar se gjithmonë qëndrojnë në të drejtën e luftës për liri.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 