Pas pesë orë bisedimesh mes presidentit rus Vladimir Putin dhe negociatorëve të lartë të Shteteve të Bashkuara nuk është arritur një marrëveshje për paqen në Ukrainë.
Lajmin e konfirmoi këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, pas takimit të zhvilluar në Moskë.
Në bisedime ishte i dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, të cilët vijuan një javë diplomacie intensive për përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas Ushakov, diskutimet ishin të dobishme dhe shumë konstruktive, por palët nuk gjetën një kompromis. Ai tha se disa nga propozimet amerikane janë të pranueshme, ndërsa të tjerat nuk i përshtaten Rusisë.
“Ne ramë dakord me kolegët tanë amerikanë që të mos zbulonim përmbajtjen e negociatave që u zhvilluan. Kjo është mjaft logjike, pasi negociatat ishin absolutisht konfidenciale dhe të mbyllura për publikun”.
Ndër pikat më të vështira mbeten kërkesat e Kremlinit që Ukraina të heqë dorë nga aspirata për t’u anëtarësuar në NATO dhe të dorëzojë territore në Donbas, të cilat Rusia i ka aneksuar, por jo pushtuar plotësisht.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Ukraina ishte një rrëmujë dhe konflikti nuk është i lehtë për t’i dhënë fund. Komentet i dha në fillim të mbledhjes së tij të fundit të kabinetit për vitin 2025.
Një takim i mundshëm mes Putinit dhe Presidentit Trump nuk është planifikuar dhe, sipas Kremlinit, do të varet nga progresi i negociatave.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është shprehur optimist për shkak të shpejtësisë së bisedimeve për paqen dhe interesit të Shteteve të Bashkuara për të gjetur një zgjidhje.
Ndërkohë, vetëm disa orë para bisedimeve, Putin paralajmëroi se Rusia nuk synon luftë me Evropën, por është “gati” të përgjigjet nëse kjo ndodh. Ai akuzoi disa liderë evropianë se po “qëndrojnë në anën e luftës”.
NATO ndërkohë deklaroi se nuk sheh asnjë sinjal që Moska është gati të bëjë lëshime domethënëse, duke theksuar se Rusia vazhdon kërkesat territoriale dhe synimin për të dobësuar forcën ushtarake të Ukrainës.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 