Gadi Eisenkot ka ftuar partinë e djathtë Likud të kryeministrit në detyrë Benjamin Netanyahu në negociata intensive për krijimin e qeverisë së re në Izrael.
Bisedimet pritet të nisin sot e diel dhe synojnë arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e një koalicioni sa më të gjerë qeverisës. Partia centriste Yashar, e drejtuar nga Eisenkot, i cilësoi negociatat si një përpjekje serioze për të kapërcyer ngërçin politik dhe për të siguruar një marrëveshje mes forcave politike.
Eisenkot ka afat deri në fillim të dhjetorit për të formuar qeverinë e re, pasi as blloku i tij dhe as ai i Netanyahut nuk arritën të sigurojnë shumicën në zgjedhjet parlamentare të tetorit. Në parlamentin izraelit, Knesset, që përbëhet nga 120 vende, kampi i Netanyahut siguroi 53 mandate, ndërsa opozita e udhëhequr nga Yashar mori 48. Sipas procedurës, kandidati i mandatuar për formimin e qeverisë ka 28 ditë kohë, me mundësi zgjatjeje edhe për 14 ditë të tjera nga presidenti.
Nga ana tjetër, Likud ka bërë të ditur kushtet e saj për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, një formulë që Netanyahu e ka mbështetur vazhdimisht. Mes kërkesave kryesore janë ndalimi i sulmeve personale dhe i gjuhës nxitëse.
Partia kërkon gjithashtu një deklaratë të përbashkët për krijimin e një koalicioni që do të përfshijë të gjitha forcat që mbështesin Izraelin si shtet-komb të popullit hebre, por pa përfshirjen e partive arabe, të cilat në zgjedhjet e fundit siguruan së bashku 19 mandate.
Megjithatë, Eisenkot ka pranuar se mes palëve ekziston një hendek i madh mes deklaratave publike dhe gatishmërisë reale për bashkëpunim. Ai ka theksuar se do të vijojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe për të krijuar një koalicion sa më të gjerë, por ka paralajmëruar se nuk ka ndërmend t’i zgjasë pafundësisht negociatat.
Eisenkot tha se në momentin e duhur do të paraqesë në Knesset një qeveri të re dhe të fortë, të drejtuar prej tij, për miratim.
/tvklan.al












Botërori 2026 
