Menjëherë pas lajmit se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurën për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka reaguar pronari i kompanisë MABCO, Behgjet Pacolli.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacolli thotë se me këtë vendim shteti shqiptar “ka vendosur të ndjekë rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar”.

Më tej ai thekson se “MABCO ka bërë çdo përpjekje për ta shmangur këtë skenar, duke kërkuar dialog, zgjidhje institucionale dhe zbatim të ligjit”.

“Fatkeqësisht, këto përpjekje janë penguar nga neglizhenca, papërgjegjshmëria, veprimet e kundërligjshme të disa zyrtarëve, nga elementë që kanë vepruar dhe veprojnë jashtë ligjit, nën mbrojtje institucionale dhe nga dështimi i një sistemi të drejtësisë”, shkruan Pacolli.

Ai thotë se nga njëra anë institucionet penguan përfundimin e projektit, ndërsa nga ana tjetër përpiqen ta përdorin pikërisht këtë pengesë si arsye për zgjidhjen e kontratës.

Ndaj ai nënvizon se MABCO do të përdorë të gjitha mjetet juridike dhe të gjitha provat që disponon për të kërkuar përgjegjësi ndaj kujtdo që ka kontribuar në këtë situatë, përfshirë arbitrazhin tregtar dhe arbitrazhin ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë.

/tvklan.al