Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u rikthye në Gjykatën Administrative për të kërkuar shfuqizimin e dekretit të presidentit që e ka emëruar në vitin 2008 prokuror Ols Dadon, i cili sot heton çështjen penale ndaj tij. Në sallë gjeti këtë herë mbështetës, përfshirë këngëtarë dhe aktorë të njohur, si Robert Ndrenika.
Që në nisje, gjykatësi Hazbi Balliu nuk pranoi kërkesën e Veliajt që gjithçka të transmetohej drejtpërdrejt dhe të regjistrohej nga kamerat, duke mbështetur qëndrimin e mbrojtjes së prokurorit të SPAK.
Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, e konsideroi të padrejtë vendimin e gjyqtarit.
“Në seancë u debatua mbi kërkesën e bërë nga avokati i prokurorit të SPAK, që Gjykata të mos legjitimojë Veliajn si palë e interesuar për ta vënë atë në lëvizje. Kryebashkiaku kundërshtoi këtë kërkesë, duke argumentuar se ai ishte palë, sa kohë ushtrimi i detyrës së Dados ka sjellë pasoja mbi të dhe Bashkinë e Tiranës”.
“Pra, pushteti mund të hyjë në çdo qoshe të jetës së qytetarit, por qytetari nuk paska të drejtë të pyesë: ‘Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi mua?’. Pra, pushteti mund të ndërhyjë mbi mandatin e një kryetari bashkie edhe në kundërshtim me kufijtë që vendos vetë ligji, por kryetari i zgjedhur nuk paska të drejtë të pyesë: ‘Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi bashkinë dhe mbi këtë qytet?’”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
Seanca e radhës do të mbahet më 19 qershor, pasi gjykata i dha kohë Veliajt të njihet me parashtrimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që po ashtu si avokati i Dados, kërkojnë moslegjitimimin e kryebashkiakut si palë që mund të ngrejë këtë padi. Kryebashkiaku i Tiranës kërkon shfuqizimin e dekretit me argumentin se prokurori ka marrë statusin e magjistratit pa plotësuar kushtet ligjore që parashikoheshin në atë kohë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 