Gjykata Kushtetuese ka reaguar sot në 7 shtator për debatet e fundit mbi pagat e magjistratëve, duke kërkuar zbatimin e vendimit të saj nr. 15, e dhënë në datë 17 shkurt 2026.
Në deklaratën për mediat, Kushtetuesja thekson se vendimi i saj ka përcaktuar tashmë standardin kushtetues që duhet të ndiqet për këtë çështje. Kushtetuesja i kujton Kuvendit, detyrimin për të zbatuar vendimin. Sipas saj, arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës dhe duhet të lexohen e të zbatohen në tërësinë e tyre.
GJK nënvizon se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim nga autoritetet përkatëse, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.
“Në lidhje me diskutimet publike për çështjen e pagave të magjistratëve, Gjykata Kushtetuese vlerëson të nevojshme të sqarojë se për këtë çështje është shprehur tashmë me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026
Përmes këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar standardin kushtetues të zbatueshëm, duke evidentuar njëkohësisht detyrimet që burojnë prej tij për autoritetet përgjegjëse. Arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës për çështjen e shqyrtuar dhe, për rrjedhojë ato duhet të lexohen e të zbatohen në tërësinë e tyre, në përputhje me parimet kushtetuese të përcaktuara në të.
Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Respektimi dhe zbatimi i tyre përbën një kërkesë të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe është i lidhur ngushtësisht me parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.
Në këtë kuptim, Gjykata sqaron se mënyra e përllogaritjes dhe e ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 dhe as për detyrimet që ky vendim sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij‘”, thuhet në reagimin e Gjykatës Kushtetuese.
Mosekzekutimi i pagave të magjistratëve për muajin gusht, pasi pësuan rritje me vendim të KLGJ-së dhe KLP-së solli përplasje të ashpra.
Kryeministri Edi Rama, teksa reagoi për këtë çështje u shpreh se secili institucion i vendit është në rolin e tij. Theksoi se fondin e pagave të pushtetit gjyqësor e propozon pushteti ekzekutiv dhe e miraton pushteti legjislativ. Shtoi se çdo koment tjetër është i pavlerë.
“Secili institucion në vendin e vet. Fondin e pagave të pushtetit gjyqësor e propozon pushtetit ekzekutiv dhe e miraton pushteti legjislativ. E kur vetë Gjykata Kushtetuese pret parlamentin të ekzekutojë vendimin e saj për pagat e gjyqësorit dhe nuk kuturiset të hapë vetë derën e Thesarit të Shtetit, çdo koment tjetër është në rastin më të mirë humbje kohe dhe në më të keqin as mos e pyet se ç’është…”, shkruante Rama.
Ndërsa, më herët më 5 shtator, ministri i Drejtësisë Toni Gogu deklaronte se ngërçi për pagat e magjistratëve do të zgjidhet nga ana e Kuvendit.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme dhe të detyrueshme. Nuk negociohen, nuk relativizohen. Për mua kjo nuk është zgjedhje, është thelbi i detyrës sime. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Duhet ta themi troç: kemi arritur këtu sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Ky boshllëk duhet të plotësohet atje ku e ka vendin: në Kuvend, me ligj”, shprehej Gogu.
Kujtojmë se më 17 shkurt të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, që kundërshtonte ligjin për pagat e magjistratëve dhe ka shpallur antikushtetuese disa dispozita të këtij ligji të miratuar në vitin 2023, i cili ndryshonte formulën e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kushtetuesja i kishte lënë afat Kuvendit deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore dhe për ta përshtatur formulën e pagës me standardet kushtetuese. Tashmë, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, pritet që ndryshimet ligjore për rritjen e pagës të marrin miratimin në Kuvend.












Botërori 2026 
