Qeveria ka gati një paketë mbështetëse për personat që do të angazhohen në shuarjen e zjarreve gjatë sezonit të verës.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, tha se në disa bashki janë regjistruar rastet e para të zjarreve, ndërsa strukturat përgjegjëse janë në terren.

“Viti 2026 ka një përgatitje më të mirë logjistike në tërësi, si për kapacitetet lokale, ashtu edhe për ato qendrore. Shumë shpejt do të dalim me një paketë mbështetëse për ata që janë në linjën e parë të përgjigjes kundrejt këtyre fatkeqësive në territor. Bonusi i zjarrfikësve do të shpërndahet për të gjithë ata që luftojnë me zjarret gjatë sezonit që është brenda muajit korrik, deri në mes të muajit shtator. Do të merren hapat e duhur edhe me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes për të garantuar motivimin e duhur të burimeve njerëzore.”

Ministri Demo foli edhe për paketën e maleve, për të cilën tha se është shtrirë në 50 bashkitë e vendit, ndërsa nisma do të nxisë zhvillimin lokal dhe investimet në zonat malore.

“Deri tani numërohen rreth 9 mijë aplikime në territor. Gjithashtu, në katër bashki janë miratuar lejet zhvillimore dhe po ndiqen hapat respektivë të këtij procesi të rëndësishëm.”

Një koment Demo e kishte edhe komisionin e posaçëm për reformën territoriale, afati i të cilit përfundon në mesin e këtij muaji.

“Për shkak të vetë formatit ku votat janë të barabarta duhet të shohim se si do të jetë vendimi final i raportit nëse do të shkojë me dy apo me një. Besoj që ditët apo javët që kemi përpara do të qartësojnë qëndrimet e të dyja kampeve në komision. Komisioni duhet të marrë në konsideratë një hartë shumë më të qartë sa i përket funksioneve dhe sa i përket jetës në territor.”

Njëjtë si kryeministri, edhe Demo theksoi se qeveria po i kushton vëmendje të gjitha kërkesave, të cilat i cilëson si pjesë e shëndetshme e protestës.

“Jam i bindur që do ta keni të gjithë vëmendjen e duhur, që patjetër pse jo edhe të flasim me këdo.”

Tv Klan

/tvklan.al