Aktori Keegan Allen, i njohur për rolin e tij në serialin “Pretty Little Liars”, ka rënë viktimë e një grabitjeje të dhunshme në West Hollywood. 37-vjeçari tregoi se dy persona e kërcënuan me armë dhe thikë, e goditën në kokë dhe i vodhën orën.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, më 8 tetor, në West Hollywood të Los Anxhelosit. Aktori publikoi një video në rrjetet sociale, ku shihej me gjak në ballë, duke rrëfyer momentet e frikshme të sulmit.
“U grabita nën kërcënimin e armës dhe thikës nga dy të rinj, të cilët më kërcënuan se do të më vrisnin për orën time. Mund ta kishin bërë! Zoti nuk e lejoi këtë sonte. Jeta ime për një orë”, shkroi Allen.

Ai paralajmëroi gjithashtu se do të publikonte më shumë detaje për ngjarjen, ndërsa shprehu shqetësimin për sigurinë në zonë.
Si ndodhi grabitja
Sipas njoftimit të autoriteteve, dy persona të veshur me të zeza iu afruan aktorit në momentin kur ai po hapte dyert e makinës së tij.
Njëri prej tyre e kërcënoi me një pistoletë ngjyrë argjendi, ndërsa tjetri me thikë. Grabitësit i kërkuan të dorëzonte orën dhe byzylykun, përpara se ta godisnin në fytyrë me armë.
Më pas, ata morën orën dhe u larguan me një automjet, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.
Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara pas ngjarjes, duket se tregojnë dy të dyshuarit duke iu afruar aktorit dhe duke e sulmuar.
Aktori përfundoi në spital
Fillimisht, ekipet e emergjencës e kontrolluan Allen në vendngjarje. Ai kishte një dëmtim në ballë, por nuk u transportua menjëherë në spital.
Më vonë, aktori njoftoi ndjekësit se kishte shkuar në spital, ku iu konstatua një tronditje e trurit.
“West Hollywood nuk është më i sigurt”, ka shkruar ai në reagimin e tij të parë, ndërsa më pas e përshkroi zonën si një “ferr”.
Keegan Allen u bë i njohur ndërkombëtarisht për rolin e Toby Cavanaugh në serialin e njohur për të rinj “Pretty Little Liars”. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë grabitjen dhe po përpiqen të identifikojnë autorët e saj.












Botërori 2026 
