Pandemia e koronavirusit ka rritur shitjet “online” në Shqipëri ku peshën më të madhe e zënë blerjet për ushqime dhe pije, por edhe për ilaçe apo vitamina. Sipas të dhënave zyrtare blerjet online shënuan në Shqipëri një rritje me 9,5% në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë dhe kjo rritje vijon edhe gjatë këtij viti. Në Gjirokastër, bizneset artizanale dhe ato turistike synojnë të plotësojnë me shitjet në internet mungesën e turistëve në Qendrën Historike që mbrohet nga UNESCO”.

Pandemia e koronavirusit ka goditur turizmin në disa nga qytetet historike në Shqipëri dhe shumë sipërmarrje të vogla synojnë të gjejnë forma për të mbuluar humbjet. Manjola Shehu që drejton një sipërmarrje me prodhime tipike vendase në pazarin historik të Gjirokastrës thotë se po përdor prej gati një viti shitjet “online”.

“Pandemia na ka nxitur që të zhvillojmë shitjet “online” . Kemi filluar që vjet me fillimin e pandemsië kur nuk patëm mundësi të kishim klientë fizikë dhe menduam që të zhvillojmë këtë lloj tregëtia që jo shumë e njihnim, por e shohim që rritet dita ditës, ka interes dhe ka një trend”, thotë ajo.

Zonja Shehu thotë se më të kërkuara janë produktet tipike lokale ndërkohë që shitjet online kanë disa lehtësi.

“Unë kam kryesisht prodhime ushqimore. Më së shumti ecin çajrat e ndryshëm që ne i kemi të zonës, pra produktet tipike lokale. Tërhiqen ndryshe nga ato që janë më të përgjithshme apo që gjenden edhe në vende të tjera. Ndërkohë me shitjet online kursehet kohë, dorëzimet bëhen me postë, pagesa bëhet në dorëzim dhe ka disa lehtësi që janë krijuar edhe me postat private dhe e kanë çuar përpara këtë proçes i cili na ka ardhur në ndihmë”, thotë ajo.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave shitjet “online” në Shqipëri shënuan një rritje me 9,5 % në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 . Artikujt ushqimorë, pijet por edhe ilaçet dhe vitaminat janë ndër artikujt kryesorë më të kërkuar. Hazbije Lazo që punon nën Postën shqiptare thotë se prirja e rritjes së shitjeve “online” vijon edhe këtë vit.

Gjatë tremujorit të parë të viti 2021 ka pasur nj rritje të madhe të blerjeve “online” sidmos të pakteve dhe kolipostave. Paketa për këtë periudhë ka pasur 2093 copë ndërsa koliposta 162 copë“, thotë ajo.

Zonja Lazo thotë se në përputhje me masat e pandemisë shumë nga pakot postare shpërndahen pranë familjeve nga shërbimi postar:

Për sa i përket pandemisë ne kemi marrë masa që mos të vijnë klientët pranë zyrave postare për t`i ruajtur ata, por të shpërndahen në shtëpi nga shërbimi postar”.

Sipas të dhënave zyrtare blerjet “online” në Shqipëri janë kryer nga 19,5 % e popullsisë së grup-moshës 16 – 74 vjeç “vitin e shkuar . Zonja Shehu thotë se nevojiten trajnime për sipërmarrjet për të përmirësuar shitjet on line dhe promovimin e prodhimeve tek përdoruesit.

“Është e nevojshme që sipërmarrjet të kenë trajnime drejt blerjeve “online”. Nevojiten e-commerce që të përfshijnë bizneset për tregëtimin e produkteve artizanale. Ka goxha konkurencë në shitjet online. Klienti mund të krahasojë çmimet në një kohë të shkurtër të krahasojë produktet, ka llojshmëri të madhe , etj. Kjo është një lloj konkurence që na nxit edhe neve për t`u zhvilluar, të përmirësojmë shërbimin, çmimin, produktin. Të duhet një kohë e madhe të merresh edhe me rrjetet sociale, me provmovimin e produktit edhe “online”, përveç fizikisht, që e kemi bërë gjithmonë”, thotë ajo.

Shitjet “online” favorizohen pasi familjet shqiptare kanë përmirësuar vitet e fundit lidhjen me internet. Sipas Instat-it, gjatë vitit 2020, përqindja e familjeve shqiptare që kanë akses në internet ka shkuar në 83,3%, krahasuar me 82,2% që ishte në vitin 2019./VOA