Rritet përdorimi i internetit dhe numri i transaksioneve online

Pandemia ka ndryshuar jo vetëm sjelljen e kompanive në botë në lidhje me ofrimin e shërbimeve në distancë, por edhe në Shqipëri. Në muajt Prill-Qershor aksesi në internet në të gjithë vendin u rrit me 20%, duke rezultuar me 44 mijë kontrata të reja më shumë se një vit më parë. Ekspertët e ekonomisë evidentojnë një dukuri kryesore që i ka prekur të gjitha sipërmarrjet, sidomos ato të shërbimeve.

“Po shkon biznesi te klienti dhe jo klienti te biznesi. Më shumë ka porosi, aplikacione e-commerce, blerje online”, tha Artan Gjergji, ekspert ekonomie.

Numri i transaksioneve përmes kartave për periudhën mars-gusht të këtij viti që prej nisjes së pandemisë është rritur me 10%, ndërsa pagesat online me e-banking janë rritur në volum me afro 200 mijë veprime më shumë se një vit më parë.

“Ka patur një përdorim të shtuar të kartave dhe transaksioneve bankare gjatë pandemisë. Vetë në politikat e bankave është që klientët të mos bëjnë veprime në sportel”, tha Dritan Gucaj, Komiteti i Sigurisë i Shoqatës së Bankave.

Bankat kanë krijuar të gjithë infrastrukturën e përdorimit të transaksioneve online. Një pjesë e kompanive në Shqipëri kanë nisur të futin një frymë të re, duke u dhënë mundësi punëtorëve të punojnë nga shtëpia, ndërsa shumë vende perëndimore e kanë përdorur këtë praktikë prej vitesh. Së fundi Gjermania po harton një ligj i cili i jep të drejtë ligjore punonjësve të zgjedhin se nga cili vend do të punojnë, nëse është e mundur fizikisht.

Tv Klan