Papa Leo XIV, një ditë pas meshës së inaugurimit të tij, ka mbajtur një takim me delegacionet ndërfetare.
Ati i Shenjtë theksoi se bashkimi i plotë i të gjithë të krishterëve është prioritet, por nuk mohoi lidhjen e ngushtë me fetë e tjera. Madje ai do të ndjekë rrugën e paraardhësit të tij, Françesku për një frymë pozitive dhe bashkëpunim të ngushtë ndërfetar për paqen.
“Me fjalët dhe veprat e Papa Françeskut, u hapën rrugë të reja takimi, për të provomuar dialogun si mënyrë bashkëpunimi, kjo e fundit si një kod sjelljeje dhe mirëkuptimin reciptok si metodë dhe standard”, u shpreh Ati i Shenjtë.
Duke ndjekur hapat e dokumentit të Vatikanit II lidhur me marrëdhëniet ndërfetare, Papa Leo XIV u shpreh se ka rëndësi të madh trashëgimia shpirtërore e përbashkët e të krishterëve dhe hebrenjve, ashtu sikurse theksoi rëndësinë e dialogut teologjik midis komuniteteve, edhe në kohë konfliktesh apo keqkuptimesh.
Papa ka vënë në dukje gjithashtu angazhimin për rritjen e dialogut dhe vëllazërisë midis Kishës Katolike dhe myslimanëve, duke thënë se është një bazë e fortë për ndërtimin e urave midis komuniteteve.
Së fundmi, duke iu drejtuar përfaqësuesve të traditave të tjera, përfshirë Hinduizmin, Budizmin, Xhainizmin dhe të tjera, Papa Leo shprehu mirënjohje për kontributet e tyre për paqen “në një botë të plagosur nga dhuna dhe konflikti”, sipas Vatikanit.
/tvklan.al