Të dielën, 29 mars, Papa Leoni XIV hodhi poshtë pretendimet se Zoti mund të justifikojë luftën dhe lutet veçanërisht për të krishterët në Lindjen e Mesme gjatë një meshës në Sheshin e Shën Pjetrit, përpara dhjetëra mijëra besimtarëve.
Me luftën SHBA-Izrael ndaj Iranit që ka hyrë në muajin e 2-të dhe me fushatën e Rusisë në Ukrainë që vazhdon, Papa dha mesazhin se Zoti është “Mbret i Paqes”, i cili refuzon dhunën dhe ngushëllon ata që vuajnë.
“Vëllezër dhe motra, ky është Zoti ynë: Jezusi, Mbret i Paqes, i cili refuzon luftën, dhe askush nuk mund ta përdorë për ta justifikuar luftën“, tha ai. “Ai nuk dëgjon lutjet e atyre që i kanë duart me gjak, por i refuzon ato”, shtoi më tej.
Përdorimi i fesë për të justifikuar luftën
Zyrtarët amerikanë, veçanërisht Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, kanë thënë se lufta është një përpjekje e një kombi kristian për të mundur armiqtë me forcë ushtarake.
Edhe Kisha Ortodokse e Rusisë ka justifikuar pushtimin e Ukrainës si një “luftë të shenjtë” kundër Perëndimit, që sipas saj është zhytur te e keqja.
“E diela e Palmave” shënon hyrjen triumfale të Jezusit në Jeruzalem para kryqëzimit të tij, të cilin të krishterët e kujtojnë në të Premten e Madhe dhe ringjalljen në Ditën e Pashkëve. Në një ditë si kjo, Leoni tha se po lutet veçanërisht për të krishterët në Lindjen e Mesme, që “po vuajnë pasojat e një konflikti të tmerrshëm. Shumë prej tyre nuk mund të kryejnë plotësisht ritet e këtyre ditëve të shenjta.”
Më herët, u raportua se policia e Jeruzalemit kishte penguar udhëheqësit kryesorë të Kishës Katolike të hynin në Kishën e Varrit të Shenjtë. Ishte hera e parë në shekuj që liderët kishtarë nuk lejohej të festonin në vendin ku të krishterët besojnë se Jezusi u kryqëzua.
Papa Leoni theksoi se gjatë Javës së Shenjtë, të krishterët nuk duhet të harrojnë sa njerëz në botë vuajnë si Krishti. “Vuajtjet e tyre flasin për ndërgjegjen e të gjithëve. Le të ngremë lutjet tona tek Princi i Paqes, që të mbështesë njerëzit e plagosur nga lufta dhe të hapë rrugë konkrete pajtimi dhe paqeje”, tha ai.
/tvklan.al












Botërori 2026 
