Një takim i rëndësishëm diplomatik pritet të zhvillohet këtë të hënë në Vatikan, ku Papa Leone XIV do të presë Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Ky takim vjen në një moment delikat për marrëdhëniet mes Selisë së Shenjtë dhe administratës së Donald Trump, pas një serie kritikash dhe tensionesh publike.

Megjithëse audiencat papnore zakonisht nuk refuzohen, veçanërisht për përfaqësues të një vendi me marrëdhënie të qëndrueshme diplomatike si SHBA-të, fakti që Papa ka pranuar të takohet personalisht me Rubion shihet si një sinjal i qartë për të mbajtur të hapur dialogun. Ndryshe nga J.D. Vance, i cili ka kritikuar Papën duke i sugjeruar të kufizohet në çështje morale, Rubio ka mbajtur një qëndrim më të matur dhe pa deklarata publike kundër tij.

Gjatë muajve të fundit, Papa Leoni XIV ka shprehur shqetësime të forta për situatat ndërkombëtare, duke kritikuar ashpër mundësinë e një lufte të re të SHBA-ve me Iranin dhe bombardimet në Libanin jugor. Ai i ka cilësuar disa nga politikat si “të papranueshme” dhe ka theksuar vazhdimisht nevojën për paqe dhe dialog, duke organizuar edhe lutje publike për ndalimin e konflikteve.

Nga ana tjetër, reagimet nga presidenti Trump nuk kanë munguar, duke e cilësuar Papën si “të dobët” dhe u shpreh kritik ndaj politikës së jashtme të tij. Megjithatë, Papa ka shmangur përplasjen direkt, duke deklaruar se nuk synon debat publik me liderët politikë, por do të vazhdojë të predikojë mesazhin e paqes dhe mbrojtjes së jetëve njerëzore.

Takimi me Rubion pritet të jetë një mundësi për të diskutuar disa çështje kyçe globale, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme, rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit me Iranin dhe situatën në Kubë. Selia e Shenjtë ka shprehur shqetësim edhe për mundësinë e ndërhyrjeve të reja amerikane në rajone të ndjeshme, duke theksuar rëndësinë e zgjidhjeve diplomatike.

Me një qasje të qetë dhe diplomatike, Papa Leoni XIV synon të ruajë një balancë mes kritikës morale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke mos u tërhequr nga parimet e tij, por njëkohësisht duke mbajtur të hapur komunikimin me një nga fuqitë më të mëdha botërore.

/tvklan.al