Papa Leoni i 14-të hoqi këpucët, siç e do tradita islame, dhe me çorape të bardha vizitoi paraditen e kësaj të shtune të famshmen “Xhami Blu” në Stamboll, e ndërtuar në shekullin e 17-të nga sulltan Ahmeti i Parë si vendi më i madh i faljes në Perandorinë Osmane të kohës.

Gjatë vizitës së tij, kreu i Vatikanit u shoqërua nga drejtuesit më të lartë të besimit islam të Stambollit. Ata i ofruan të kryente edhe një falje, të cilën Ati i Shenjtë e refuzoi pa dhënë sqarime, përveçse duke thënë se preferonte thjesht ta vizitonte, një vendim i cili surprizoi edhe vetë Selinë e Shenjtë.

Papa i parë nga Shtetet e Bashkuara theu edhe një tjetër traditë të pararendësve të tij gjatë vizitave në Turqi, duke mos vizituar Aja Sofinë, që u rikthye si xhami në 2020-ën. Ajo është ndërtuar në shekullin e 4-t dhe gjatë Perandorisë Bizantine ka qenë katedralja më e madhe ortodokse.

Papa Leoni XIV dhe Patriarku Bartolomeu i Parë do të nënshkruajnë këtë të shtunë në Stamboll edhe deklaratën simbolike për qëllimin e unifikimit të Krishtërimit, ashtu si në Këshillin e Parë të Nikesë para 1,700 vitesh, të cilin e përkujton kjo vizitë e parë e Papa Leonit jashtë vendit, e zhvilluar në Turqi.

Tv Klan

/tvklan.al