Qindra mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në sheshin qendror “Place de la Concorde” në Paris, ku Papa Leoni XIV kremtoi një meshë në fillim të bulevardit ikonik “Champs-Élysées”.

Vatikani vlerësoi se në shesh dolën 700,000 njerëz – një shifër më e lartë se 600,000 që ishin regjistruar paraprakisht.

Mesha, në të cilën morën pjesë edhe zyrtarë fetarë e politikë, shënoi kulmin e ditës së dytë dhe të fundit të vizitës së Atit të Shenjtë në Paris.

Ati i Shenjtë përshëndeti turmat që valëvisnin flamuj dhe brohorisnin, ndërsa udhëtonte me makinën e tij në një paradë 2-kilometërshe përgjatë bulevardit madhështor që të çon te sheshi “Place de la Concorde”, një vend që është zemra e Parisit dhe simbol i Republikës Franceze.

Kreu i Kishës Katolike iu drejtua besimtarëve, në veçanti të rinjve francezë, që ishin mbledhur për ta dëgjuar.

“Le të shërbejë prania ime mes jush për të forcuar besimin tuaj dhe për t’ju inkurajuar që të rrezatoni e të ndani pa pushim jetën, paqen dhe dashurinë e Zotit tonë të dashur, Jezu Krishtit. Jezusi na e zbulon dashurinë e pakushtëzuar të Zotit për ne. Për Të, askush prej nesh nuk është thjesht një numër në kartën e identitetit apo një kod identifikimi, por një person, një person unik dhe i pazëvendësueshëm. Ju shoh të mbledhur këtu, vëllezër e motra, trashëgimtarë të një historie të gjatë, të bukur e të shenjtë në Francë. Mendoj për ju, të dashur të rinj; ju jeni Kisha e së sotmes. Sa bukur është të shohësh entuziazmin, dinamizmin dhe angazhimin tuaj, si dhe gëzimin brenda bashkësive të krishtera”.

Megjithëse masat e rrepta të sigurisë bllokuan qarkullimin rrugor në qendër të Parisit, atmosfera tërhoqi njerëz të besimeve të ndryshme, si dhe nga ata pa asnjë përkatësi fetare. Entuziazmi përfshiu të gjitha brezat, ndërsa njerëzit i afroheshin turmës me foshnja e fëmijë të vegjël, që Papa t’i bekonte gjatë paradës së tij.

Më herët të shtunën, Papa u takua me emigrantë në një shoqatë që mbështet refugjatët, ku theksoi se është “e mundur të takojmë njëri-tjetrin dhe të jetojmë së bashku me dinjitet e paqe”.

Vizita e Atit të Shenjtë në Francë vazhdon në Shenjtëroren e Lurdës (Lourdes) në jug të Francës, një nga vendet e pelegrinazhit më të nderuara të Kishës Katolike dhe më pas në Metz.

/tvklan.al