31 gusht 2026- Numri i të papunëve në Gjermani u rrit sërish gjatë muajit gusht, duke mbetur mbi nivelin e 3 milionëve, ndërsa tregu i punës vazhdon të tregojë shenja stanjacioni, pavarësisht disa sinjaleve pozitive nga ekonomia.

Sipas të dhënave të Agjencisë Federale të Punësimit, në gusht u regjistruan rreth 3,061 milionë persona të papunë. Kjo shifër është 54 mijë më e lartë se në korrik dhe 36 mijë më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Shkalla e papunësisë u rrit gjithashtu, duke shkuar në 6,5 për qind, nga 6,4 për qind që ishte një muaj më parë.

Kryetarja e Agjencisë Federale të Punësimit, Andrea Nahles, deklaroi se gjatë gushtit nuk u vu re ndonjë përmirësim i ndjeshëm në tregun e punës, përtej luhatjeve të zakonshme sezonale.

Papunësia e kaloi për herë të parë në muajin korrik kufirin e 3 milionëve që nga prilli, një zhvillim që lidhet pjesërisht me faktorët sezonalë dhe fillimin e periudhës së pushimeve verore.

Ekspertët vlerësojnë se rritja e papunësisë është rezultat i ndërthurjes së faktorëve sezonalë me dobësinë e aktivitetit ekonomik. Megjithatë, sinjalet e fundit për një përmirësim të ekonomisë gjermane mund të krijojnë kushte më të favorshme për tregun e punës në muajt e ardhshëm.

/tvklan.al