Afati i armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po skadon, ndërsa konfirmimi për një raund të ri bisedimesh mungon. Takimi i parashikuar në Islamabad për të shmangur rinisjen e luftës deri të mërkurën mbetet në pikëpyetje. Media shtetërore iraniane mohoi nisjen e delegatëve të Teheranit drejt Pakistanit, duke kundërshtuar burimet vendase.

Ndërkohë, Uashingtoni ka konfirmuar se delegacioni i kryesuar nga zëvendëspresidenti JD Vance është gati për nisje. Amerikanët nuk kanë dhënë një orar zyrtar për përfundimin e armëpushimit. Megjithatë, burime nga ndërmjetësit pakistanezë raportojnë se afati skadon të enjten, në orën 5 të mëngjesit me kohën e Shqipërisë.

Teherani zyrtar e cilësoi sekuestrimin e anijes së tyre nga marina amerikane si akt piraterie. Sipas Iranit, ky veprim ka shkatërruar besimin për paqe. Ata kërkojnë kthimin e menjëhershëm të anijes si kusht për t’u ulur në bisedime. Për Iranin, pa kthimin e mjetit lundrues nuk mund të ketë negociata në Islamabad.

Presidenti Donald Trump shkroi në rrjetin “Truth” se programi bërthamor iranian është asgjësuar plotësisht. Sipas tij, pengesa e fundit është transporti i pluhurit bërthamor të mbetur mes rrënojave drejt SHBA-së. Trump u shpreh i bindur se raundi i dytë do të zhvillohet, pavarësisht deklaratave të Teheranit.

Trump ka kërcënuar me sulme më të ashpra mbi infrastrukturën civile nëse bisedimet dështojnë. Irani është kundërpërgjigjur duke paralajmëruar “karta të reja në fushëbetejë”. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit, duke rritur rrezikun e një lufte të hapur në rajon.

Tv Klan

/tvklan.al