Paraguai ka njoftuar se do të pranojë një grup prej 25 emigrantësh të deportuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të politikave ‘të ashpra’ të migracionit të administratës së Donald Trump.

Ministria e Punëve të Jashtme e Paraguait deklaroi se grupi i parë, i përbërë nga spanjishtfolës, do të mbërrijë së shpejti dhe se çdo rast është shqyrtuar individualisht në përputhje me ligjin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Autoritetet theksuan se procesi respekton sovranitetin dhe rregullat e migracionit.

Ky hap e bën Paraguain pjesë të një liste në rritje vendesh që pranojnë të ashtuquajturat deportime në “vende të treta”, një praktikë që lejon dërgimin e emigrantëve në shtete, me të cilat ata nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë. Administrata amerikane ka kërkuar marrëveshje të tilla me dhjetëra vende.

Ndër shtetet që kanë pranuar marrëveshje të ngjashme janë Kosta Rika, El Salvador, Republika Demokratike e Kongos dhe Sudani i Jugut, disa prej të cilave kanë përfituar kontrata milionëshe si kompensim.

Zyrtarët amerikanë e kanë mbrojtur këtë politikë duke thënë se ajo synon kthimin e sigurt dhe të rregullt të emigrantëve në vendet e tyre të origjinës dhe se personat e përfshirë nuk kanë kërkesa të hapura për azil.

Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut dhe kritikët kanë ngritur shqetësime serioze, duke argumentuar se këto deportime mund të rrezikojnë sigurinë e emigrantëve, sidomos kur ata dërgohen në vende me konflikte ose paqëndrueshmëri. Për shembull, situata në Sudanin e Jugut dhe në Republikën Demokratike të Kongos mbetet e tensionuar, për shkak të konflikteve të vazhdueshme.

Rasti i fundit i një emigranti salvadorian, i cili u përball me deportim drejt një vendi afrikan, pavarësisht alternativave të tjera, ka shtuar debatet mbi ligjshmërinë dhe etikën e kësaj politike.

Ndërkohë, raportime mediatike tregojnë se SHBA-të po synon të zgjerojë këtë skemë me dhjetëra vende të tjera, duke e bërë atë një pjesë kyçe të strategjisë së saj për kufizimin e migracionit.

/tvklan.al