20 nëntor 2026– Italia është përfshirë nga një grevë e përgjithshme 24-orëshe, e shoqëruar me protesta në më shumë se 100 qytete të vendit, ku pritet të marrin pjesë edhe studentët.

E organizuar nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL) dhe sindikatat e pavarura (COBAS), greva prek sektorin publik dhe atë privat, duke paralajmëruar ndërprerje dhe vështirësi në transport, arsim, administratë, shëndetësi dhe industri.

Në fokus të protestave është kundërshtimi i projektbuxhetit, ndërsa sindikatat kërkojnë rritje të fuqisë blerëse përmes mbrojtjes së pagave dhe pensioneve, rinovim të kontratave kolektive dhe kompensim për humbjet që lidhen me taksimin mbi të ardhurat. Kërkesat përfshijnë gjithashtu rritjen e financimit për shëndetësinë dhe arsimin publik.

Një tjetër pikë kundërshtimi është shtimi i shpenzimeve për mbrojtjen dhe pasiguria që karakterizon tregun e punës.

Protestat janë shtrirë në qytetet kryesore italiane. Në Romë, marshimi ka nisur në orën 09:30 nga Piazza Vittorio Emanuele II dhe do të përfundojë në Via dei Fori Imperiali, ku është i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës, Maurizio Landini.

“Është një spektakël absolut. Jemi mbi një milion në më shumë se njëqind sheshe. Ne do të ecim përpara në ditët në vijim dhe do të vazhdojmë me mobilizimet në sheshe.

Dita e sotme tregon se njerëzit duan të dëgjohen, ata po kërkojnë të marrin pjesë, ata po kërkojnë përgjigje për nevojat e tyre.

Kështu që unë besoj se të gjithë politikanët duhet t’i kushtojnë vëmendje dhe të dëgjojnë atë që po ndodh në vend, atë që po ndodh në Evropë”, tha ai.

Në Milano, tubimi i punonjësve nisi në orën 09:00 nga Piazzale Cadorna, me destinacion Piazza della Scala. Ndërkohë, studentët nisën marshimin nga Largo Cairoli drejt Piazza XXV Aprile, duke filluar nga ora 09:30.

Demonstrata priten gjithashtu në Torino, Bolonjë, Genoa, Firence, Napoli dhe Palermo.

Pjesë e mobilizimit janë edhe studentët, të cilët me marshimet e tyre pritet të ndikojnë në zhvillimin normal të procesit mësimor në disa prej qyteteve italiane.

/tvklan.al