Për 4 orë me radhë në mëngjesin e sotëm kalimi në pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me Greqinë ishte i pamundur.

Ashtu siç kishin paraljmëruar doganierët grekë zhvilluan protestën e tyre çka bëri që puna në tre pikat kufitare, atë të Kapshticës, Kakavijës dhe Qafë Botës të paralizohet.

Të parët që nisën grevën ishin doganierët e Kapshticës dhe Qafë Botës, ku prej orës 5:00 të mëngjesit deri në orën 9:00 puna u ndal.

Siç shihet edhe në pamje kjo solli radhë të gjata makinash, jo vetëm ato të përdorimit vetjak, por edhe nga ato të transportit të mallrave.

E njëjta situatë u krijua nga ora 7:00 deri në 11:00 edhe në doganën e Kakavijës.

Situata në të treja doganat u normalizua, pasi doganierët grekë i dhanë fund grevës së tyre dhe u kthyen në vendet e punës.

Doganierët helen protestojnë kundër orareve të zgjatura të punës, netëve të papaguara dhe mospagesës së orëve jashtë orarit zyrtar.

Sindikata e Doganierëve Grekë kërkon respektimin e turnit 8 orarësh dhe në 5 ditë të javës, si dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre të punës që po shkelen për shkak të ngarkesës së lartë në pikat kufitare.

/tvklan.al