Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani zbarkoi në qytetin e Shkodrës, bashkë me ekipin e tij. Kreu i Task Forcës për krimet zgjedhore, mbërriti në Shkodër rreth orës 09:00 dhe qëndroi për rreth 3 orë në prokurorinë e qytetit verior.
Dumani ka kërkuar që në rastet kur ka akuza apo deklarata publike për shitblerje vote, personat që i bëjnë këto akuza duhet të thirren për të bërë kallëzim në polici dhe prokurori. Dumani u kërkoi atyre të jenë sa më vigjilente lidhur me krimet zgjedhore në këto ditë të fundit të fushatës elektorale.
Ky është momenti kur kreu i SPAK dhe i deleguari në këtë qark, prokurori Dritan Prençi, largohen pas takimit me drejtuesin e Prokurorisë së Shkodrës, Albert Murçaj.
Klan News ka mësuar se SPAK, oficerët e BKH-së dhe forcat operacionale kanë nisur kontrolle në disa zona si në Malësi të Madhe, Vaun e Dejës, Barbullush, Bushat dhe Mjedë për parandalimin e krimeve zgjedhore.
Pas Shkodrës, kreu i SPAK, Dumani shkoi në Lezhë.
Edhe në këtë takim ai e vuri theksin tek hetimi i krimeve zgjedhore, duke kërkuar nga anëtarët e Task Forcës seriozitet në hetime.
Mbërritja e kreut të SPAK në Shkodër vjen pas regjistrimit të procedimeve penale për krime zgjedhore. Sipas të dhënave që bëhet me dije nga Prokuroria e Posaçme, janë marrë në adminsitrim 123 denoncime. 35 prej tyre janë regjistruar si procedime penale. Për 22 materiale SPAK ka vendosur të mos fillojë hetim penale, 16 të tjera janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e rretheve. Gjithashtu mësohet se 10 materiale janë dërguar për verifikime shtesë në drejtoritë e policisë, ndërsa 1 rast është bashkuar me një tjetër çështje ekzistuese.
Veprat penale që po heton SPAK janë: Korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, përdorim i funksionit publik për qëllime politike, dhe shpërdorim detyre.
Prokuroria e Posaçme bën të ditur dhe indicien që ka patur krimet zgjedhore që dyshohet se janë kryer. 20 raste janë iniciuar nga policia e shtetit, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK, 3 nga qytetarët, 2 nga prokuroritë e rretheve dhe dy nga kallëzimet e partive politike.
Klan News