Është nënshkruar marrëveshja e kredisë dhe grantit për financimin e projektit për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Belsh.

Zëvendëskryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se ky investim realizohet me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe një kredi nga BERZH, dhe do të furnizojë me energji mbi 50 mijë qytetarë.

“Do të furnizojë 16.100 abonentë ose 50 mijë qytetarë të Shqipërisë. Prodhon 79 gigavat orë në vit. Ky park shton kapacitetin prodhues të KESH dhe sjell përmirësim të dukshëm të shërbimit. Mbështetja financiare arrin në 9.58 milionë euro, që përbën 23% të vlerës së investimit, ndërsa huaja kap vlerën e 30 milionë eurove,” tha Balluku.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, theksoi se mbështetja ndaj Shqipërisë për diversifikimin e burimeve të energjisë do të vijojë.

“Me një grant prej 9.5 milionë euro në një investim total prej 42 milionësh, Shqipëria përgatitet të hapë grupkapitullin 4 për ekonominë e gjelbër. Ky është një investim që vjen në kohën e duhur,” deklaroi Gonzato.

Nga ana tjetër, Balluku bëri të ditur se ka nisur identifikimi i të gjitha tokave të pashfrytëzuara në çdo bashki.

“Tokat e pafrytshme do të vihen në dispozicion të ankandeve publike. Po identifikojmë ato prona që janë në regjistra dhe nuk mund të kontribuojnë në sektorë të tjerë, që të vendosen në varësi të ministrisë për t’u përdorur në funksion të energjisë,” u shpreh ajo.

Aktualisht, 16% e energjisë në Shqipëri prodhohet nga dielli, ndërsa synimi i qeverisë është që deri në vitin 2030, 30% e energjisë të vijë nga parqet fotovoltaike.

Klan News

/tvklan.al