Situata nën monitorim në Lunxhëri të Gjirokastrës

Beteja me zjarrin në Gadishullin e Karaburunit në Vlorë vijon tashmë prej 10 ditësh. 3 vatra aktive në pjesën e sipërme të fshatit Dukat i Ri po rrezikojnë seriozisht Parkun e Llogarasë. Operacioni për shuarjen e zjarrit është ndërprerë nga ajri dhe nga toka për shkak të erës së fortë, çka e ka përkeqësuar më tej situatën. Flakët po përparojnë në pjesën e malit duke iu afruar pyllit me pisha.

Një tjetër vatër zjarri shpërtheu mëngjesin e së enjtes edhe në Nartë, duke rrezikuar ish depot e naftës. Ndërsa shtëllunga tymi mbuluan edhe qytetin e Vlorës. Në qarkun e Gjirokastrës situata duket më e qetë. Vatrat janë vënë nën kontroll, por po mbahen nën monitorim nga forcat e emergjencës.

Mbrëmjen e së mërkurës një zjarr i rënë në Lagjen Tepe të Shkodrës vuri në rrezik 10 banesa.  4 mjete zjarrfikëse arritën ta izolojnë.  Sipas emergjencave civile, aktualisht janë 6 vatra zjarri aktive në të gjithë vendin, përfshirë fshatin Cukal në Vaun e Dejës, në Fushë Arrëz, në Lukan të Dibrës, në Mallakastër etj

Një ditë më parë ministri i Mbrojtjes paralajmëroi se do këtë hetim dhe ndalim për ata persona që do të verifikohen për zjarrvënie të qëllimshme. Ndërkohë mësohet që policia e Pogradecit ka vënë nën hetim për “shkatërrim prone me zjarr” një 38-vjeçar, që dogji një sipërfaqe prej 3 (tre) dynymë barishte dhe shkurre.

Tv Klan