Kuvendi mbylli punimet pas plot 8 orë debatesh, kësaj radhe jo vetëm mes pozitës dhe opozitës, por mosmarrëveshje u vërejtën edhe brenda grupit socialist. Deputeti Erjon Braçe, ashtu sikundër dhe opozitari Nikollë Lesi, deklaruan se kryetari i Komisionit të Medias Musa Ulqini kishte falsifikuar firmat e anëtarëve dhe datën e mbledhjes së komisionit.

Nikollë Lesi: “Këtu ka një mashtrim me firmë që duhet edhe për ndjekje penale për zotin Musa Ulqini, i cili mashtron në mënyrë publike me firmë.”

Musa Ulqini: “Gjithçka është e protokolluar në Komisionin e Medias, zotërinjtë në fjalë kanë ardhur me vones siç ndodh rëndom në mbledhjen e komisionit tonë.”

Erjon Braçe: “Është e vërtetë që ne shkojmë ndonjëherë në mbledhje me vones, po aq sa dhe kryetari vjen me vones në mbledhje, por problemi është tjetër, se ka një non sens logjik në gjithë këtë që është shkruar në relacionin e Komisionit të Medias dhe të firmosur nga zoti Ulqini që pastaj bën që edhe data 27 të jetë e pavërtetë. Pikërisht më datë 27, sipas relacionit, thuhet që komisioni paska administruar dorëheqjen e zotit Sefedin Çela. Besoj se e keni ndjekur të gjithë dje se zoti Sefedin Çela ka dalë në orën 11 fiks dhe ka dhënë dorëheqjen para opinionit publik. Për ta shtyrë akoma më tej këtë unë kërkoj një vendim me shkrim të komisionit. Ku është vendimi me shkrim i komisionit që janë administruar këto kandidatura?”

Parlamenti miratoi ligjjin për organizimin dhe funksionimin e autoritetit mbikqyrës të sigurimeve, megjithëse opozita mbështeti deklaratën e komisionit të ligjeve se ky draft kishte ngërç juridik. Një gjë e tillë, sipas kryetarit të Kuvendit, u zgjidh me propozimin e bërë gjatë pasdites nga zëvendëskryeministri Namik Dokle, amendimi i të cilit kishte marrë pëlqimin e kryejuristit Spartak Braho. Ky miratim binte në kundërshtim me rregulloren, sipas opozitës, e cila e bojkotoi votimin dhe në fakt kjo gjeti mbështetje edhe për socialistët.

“ Nuk jeni i lirë të bëni me seancën çfarë ju do qejfi ju, sepse ky projekt nuk ka kaluar, nuk është diskutuar fare në komisionin e ligjeve dhe vetëm me ok-in e kryetarit të komisionit ky nuk mund të futet në seancë. Atëherë doni ta kaloni sot patjetër? Po, ndërprit seancën, mblidh komisionin e ligjeve, merret vendimi dhe fute votoje! çfarë është kjo që do të bësh ti?”

“ Nuk mund ta kaloni në votim, sepse ju nuk keni organizuar diskutimin e këtij ligji sipas rregullores që ka kuvendi.”

“Komisioni i ligjeve është një organ kolegjal që i merr vendimet me shumicë votash dhe unë nuk e di se çfarë relacioni të komisionit të ligjeve do t’i lexoni ju seancës në momentin që projektligji votohet. Për këtë arsye, çdolloj procedimi që po bëni lidhur me projektligjin është tërësisht në kundërshtim me rregulloren.”

Opozita bojkotoi edhe votimin për vërejtjet e Presidentit të Republikës mbi ligjin e pronave. Kërkesa e socialistit Limoz Dizdari për ta shtyrë votimin me qëllimin e një konsensusi më të gjerë u kundërshtua nga kreu ligjvënësve socialist Ruçi.

Gramoz Ruçi: “Mungon vullneti politik e ka një problem politiko-elektoral në funksion të zgjedhjeve të 2005, prandaj në këto kushte mua nuk më ka ngelur asnjë merak politik, informal, institucional, për të shtyrë apo për të diskutuar apo për të ftuar, të gjitha i kam realizuar.”

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste pranoi vetëm vërejtjet e presidentit për nenin 15 e 16 në ligjin për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave. /tvklan.al