Shtëpia e Bardhë ka zgjedhur një zëvendës të Robert F. Kennedy Jr. për të shërbyer si drejtues i përkohshëm i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të SHBA-ve, një vendim që vjen ndërsa përplasja mbi shkarkimin e drejtoreshës Susan Monarez është thelluar, me avokatët e Monarez që pretendojnë se ajo nuk do të largohet përveçse nëse vetë Donald Trump e shkarkon.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për The Guardian se Jim O’Neill, aktualisht zëvendëssekretar i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), është zgjedhur për të drejtuar përkohësisht agjencinë e shëndetit publik, duke i dhënë Kennedy-t një aleat në përpjekjet e tij për të rishikuar politikën e vaksinave në SHBA.
Ndryshe nga Monarez, O’Neill, nuk ka një sfond mjekësor apo shkencor. Ai ka shërbyer si ish-shkrues fjalimesh për departamentin e shëndetësisë gjatë administratës së George W. Bush dhe më pas ka punuar për investitorin e teknologjisë dhe donatorin e madh konservator Peter Thiel.
Vendimi për të larguar Monarez ka shkaktuar trazira të mëtejshme brenda CDC-së, me katër nga drejtuesit e tjerë të lartë që dhanë dorëheqjen, duke e dënuar atë që e quajtën ndërhyrje politike në punën e tyre, shkurtime buxheti dhe përhapje të dezinformimit nën administratën Trump.
Monarez, një specialiste e sëmundjeve infektive që u konfirmua si drejtuese e CDC-së vetëm një muaj më parë, u shkarkua të mërkurën në një deklaratë nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), i cili nuk dha asnjë arsye për largimin e saj.
Megjithatë, drejtoresha e shkarkuar ka refuzuar të largohet. Avokatët e saj pretendojnë se, ndonëse Shtëpia e Bardhë ka thënë se ajo “nuk përputhet me agjendën e presidentit”, vetëm presidenti mund ta shkarkojë atë.
“Si një e emëruar presidenciale, e konfirmuar nga Senati, vetëm vetë presidenti mund ta shkarkojë”, ka shkruar avokati i Monarez, Mark Zaid, në Bluesky.
“Për këtë arsye, ne e refuzojmë njoftimin që ka marrë Dr. Monarez si të mangët ligjërisht dhe ajo mbetet Drejtore e CDC-së. Kemi njoftuar Këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për qëndrimin tonë”.
Një zëdhënës i Trump, Kush Desai, tha: “Meqenëse Susan Monarez refuzoi të japë dorëheqjen, pavarësisht se kishte informuar drejtuesit e HHS për synimin e saj për ta bërë këtë, Shtëpia e Bardhë e ka shkarkuar Monarez nga pozicioni i saj në CDC”.
CDC-ja, në fund të fundit, mbikëqyret nga Kennedy, i njohur për themelimin e një grupi kundër vaksinave dhe që në rolin e tij aktual ka shkurtuar fondet për kërkimin mjekësor, ka larguar këshilltarët shkencorë dhe të mërkurën kufizoi përdorimin e vaksinave kundër Covid për amerikanët.
“Fillimisht ishin komitetet e pavarura këshillimore dhe ekspertët e karrierës. Pastaj erdhi shkarkimi i shkencëtarëve me përvojë. Tani, Sekretari Kennedy dhe HHS kanë vënë në shënjestër përdorimin e shëndetit publik si armë për përfitime politike dhe vendosjen në rrezik të miliona jetëve amerikane”, thanë avokatët e Monarez në një deklaratë.
“Kur Drejtoresha e CDC-së, Susan Monarez, refuzoi të vuloste direktiva të pabazuara në shkencë, të pamatura dhe të shkarkonte ekspertë të përkushtuar të shëndetit, ajo zgjodhi të mbronte publikun mbi shërbimin ndaj një agjende politike. Për këtë arsye, ajo është vënë në shënjestër”.
Monarez dhe Kennedy u përplasën mbi politikën e vaksinave, ndërsa drejtuesit e CDC-së ishin të zemëruar me mënyrën se si administrata trajtoi një situatë vdekjeprurëse më herët këtë muaj, kur një person i armatosur hapi zjarr mbi selinë e agjencisë në Atlanta, duke vrarë një oficer policie, sipas New York Times.
Zyrtarët e lartë që dhanë dorëheqjen nga CDC-ja janë: Debra Houry, shefja mjekësore; Daniel Jernigan, shefi i sigurisë së vaksinave; Jennifer Layden, drejtuese e zyrës për të dhënat e shëndetit publik; dhe Demetre Daskalakis, i cili drejtonte zyrën që jep rekomandime për vaksinat.
Në dy intervista që dha të enjten, për Reuters dhe Washington Post, Jernigan tha se kulmi për të ishte detyrimi për të rishikuar pretendimin e rremë se vaksinat shkaktojnë autizëm. Jernigan, departamenti i të cilit mbikëqyrte grupin e sigurisë së vaksinave, tha se iu ishte “kërkuar të rishikonte, të rivlerësonte dhe të ndryshonte studime” mbi të dhënat e sigurisë së vaksinave nga ndihmësit e Kennedy-t, Lyn Redwood dhe David Geier, aktivistë kundër vaksinave që promovojnë një lidhje të rrëzuar nga faktet me autizmin.
Në rrjetet sociale, Bernie Sanders, një senator i pavarur i SHBA-së që shërben si anëtari kryesor i komitetit për shëndetësi, arsim, punë dhe pensione, tha se përpjekja për të shkarkuar Monarez ishte “skandaloze” dhe kërkoi një seancë dëgjimore.
“Vaksinat shpëtojnë jetë. Pikë”, tha Sanders në X.
Senatorja Elizabeth Warren reagoi ndaj lajmit se O’Neill ishte emëruar drejtor i përkohshëm duke tërhequr vëmendjen te seanca e konfirmimit të tij në maj, kur ai i tha demokrates nga Massachusetts se Robert F. Kennedy Jr. po “bënte një punë të shkëlqyer” në trajtimin e një shpërthimi vdekjeprurës të fruthit në Teksas.
Warren shpërndau në rrjetet sociale një klip të O’Neill duke bërë këto komente, me shënimin: “Donald Trump po pastron drejtuesit e CDC-së dhe po vendos në krye njeriun që mendonte se RFK Jr po bënte një ‘punë të shkëlqyer’ pasi rastet e fruthit arritën një nivel rekord. Këtyre të marrëve nuk mund t’u besohet shëndeti juaj”.
Puna e mëparshme e O’Neill përfshinte ndihmën për krijimin e Thiel Fellowship, një program dy vjeçar për të rinjtë që bien dakord të mos ndjekin ose të braktisin kolegjin në këmbim të një granti prej 200 mijë dollarësh.
Kur O’Neill, një kritik i punës së CDC-së në luftën ndaj pandemisë së Covid-it, u betua si zëvendëssekretar i shëndetësisë në qershor, Robert F. Kennedy Jr. përmendi “përvojën e tij të gjerë në Silicon Valley dhe në qeveri”, por jo ndonjë përvojë në shëndetin publik apo kualifikime shkencore./tvklan.al












Botërori 2026 
